Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u diskutua Zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën hapëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se Pakoja e Planit të Rritjes për Kosovën përfshin fonde në vlerë të gjithmbarshme prej 882.6 milionë eurosh, ndërsa shtoi se tashmë janë pranuar mjetet nga para-financimi, në vlerë prej 61.8 milionë eurosh.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se pjesë e Planit të Rritjes janë edhe mundësitë, të cilat i ofron Bashkimi Evropian për integrim dhe konvergjencë ekonomike me Tregun e Përbashkët të saj, duke filluar nga anëtarësimi në SEPA apo Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro. Lidhur me këtë, ai përmendi bllokimin, i cili iu bë ligjit kundër pastrimit të parasë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që për pasojë e ka bllokuar edhe zbatimin e Marrëveshjes SEPA.

 Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar ministra dhe ministre,

Zëvendësministre e zëvendësministra,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të pavarura,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar gazetarë,

Po e hapim mbledhjen e radhës të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, e cila është mbledhja e parë në funksionin e tij si Komitet Drejtues për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, përkatësisht Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kosova është ndër vendet e para të rajonit që ka përmbyllur negociatat me Bashkimin Evropian për reformat e Planit të Rritjes dhe ne si Qeveri kemi miratuar Agjendën e Reformave, më 9 tetor 2024. Mandej, pas një vonese të konsiderueshme për shkak të bllokadës politike, më 13 shkurt sivjet, Kuvendi ka ratifikuar më në fund, dy marrëveshjet me Bashkimin Evropian: Marrëveshjen për Instrumentin dhe Marrëveshjen për Huanë.

Ndërkohë, më 19 mars të këtij viti, është marrë vendimi për sistemin e zbatimit, si dhe është bërë emërimi i Koordinatorit Kombëtar duke përmbushur kësisoj aktet ligjore për zbatimin e marrëveshjeve të Planit të Rritjes. Pas miratimit të këtij vendimi, më 16 prill pra, para përafërsisht një muaji, kemi filluar të pranojmë fondet e para-financimit nga Plani i Rritjes, në shumë prej 61.8 milionë eurosh.

Vendimi e cakton Zyrën e Kryeministrit, si institucioni kryesor përgjegjës për integrim evropian dhe koordinatore të këtij instrumenti.  Ndërkaq, Ministrisë së Financave i janë caktuar funksione kyçe, të cilat ndërlidhen me parakushtet për financim dhe për koordinimin e komponentit të kontrollit të brendshëm dhe të auditimit.

Përmes këtij vendimi kemi caktuar strukturat koordinuese, përkatësisht strukturat e përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe ato vendore. Struktura e përbashkët me Bashkimin Evropian është Komiteti Monitorues BE – Kosovë, kurse në nivel kombëtar strukturat ndahen në dy nivele: politik dhe atë teknik. Në nivelin politik kemi Këshillin Ministror për Integrim Evropian, i cili ushtron funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes, ndërsa në atë teknik, Komitetin Punues për Integrim Evropian, i cili ka funksionin edhe të Komitetit Zbatues për këtë plan.

Këto strukturat koordinuese për Planin e Rritjes kanë filluar së funksionuari menjëherë pasi miratuam vendimin e Qeverisë dhe në kuadër të tyre po punohet në mënyrë intensive për zbatimin e Agjendës së Reformave.

Pakoja e Planit të Rritjes për Kosovën përfshin reformat dhe fondet e Bashkimit Evropian të paraparë për Kosovën, në shumë të gjithmbarshme prej 882.6 milionë eurosh. Këto fonde, të cilat tashmë kemi filluar t’i fitojmë, do të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët në formë të projekteve investuese, të cilat do të zbatohen nga vet Qeveria. Pra, rimbursimet që na vijnë nga Komisioni Evropian si rezultat i reformave të kryera, ne i shfrytëzojmë për realizimin e më shumë projekteve. 

Pjesë e pakos së Planit të Rritjes janë edhe mundësitë, të cilat i ofron Bashkimi Evropian për integrim dhe konvergjencë ekonomike me Tregun e Përbashkët të saj, duke filluar nga anëtarësimi në SEPA, apo Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro.

Këtu vlen të theksohet që bllokimi, i cili iu bë ligjit kundër pastrimit të parasë në Kuvendin e Republikës sonë, e ka bllokuar edhe zbatimin e Marrëveshjes SEPA. Afër 60 milionë euro në vit llogariten të jenë humbje të transaksionit duke mos qenë pjesë e SEPA-s.

Shumë veprime të ekzekutivit varen nga legjislativi, pasi aktet nën ligjore që janë paraparë në përgjegjësi të ministrave, derivojnë nga ligjet, të cilët duhet të miratohen në Kuvendin e Republikës. Mirëpo, Plani i Rritjes është për Kosovën e rrjedhimisht janë të përfshira shumë institucione. Në fakt 1 në 4 reforma janë përgjegjësi direkte e institucioneve të pavarura.

Përkundër bllokadës, deri në fund të vitit të kaluar kemi zbatuar 6 reforma, prej të cilave përfitojmë 46.9 milionë euro. E deri në raportimin e ardhshëm, që është në mes të korrikut, presim të zbatojmë edhe reforma të tjera, duke rritur kësisoj shumën që do të pranojmë në 53.2 milionë euro.

Nga reformat e zbatuara, vlen të veçohen disa hapa konkretë: anëtarësimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit në EQAR, që e afron arsimin e lartë të Kosovës me Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë; rritja e përfshirjes së fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç në arsimin e hershëm; ndërlidhja e sistemit të prokurimit elektronik me Sistemin për Menaxhimin e Financave Publike, që e rritë transparencën dhe disiplinën buxhetore; parandalimi i barrës administrative në 100% të projektligjeve të miratuara nga Qeveria; digjitalizimi i qindra shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset; si dhe përafrimi i mëtejshëm i politikës së vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Numër më i madh reformash do të  raportoheshin të kryera deri në fund të Qershorit, në qoftë se, krahas vullnetit të madh e të mirë e punës serioze të Qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë, e cila i takon në kuvend. Ne jemi në një situatë ku e kemi një opozitë, e cila zgjedhet për të mos ardhë në kuvend, edhe kur vjen, shikon cilat ligje me i blloku. Kjo është vërtetë sfidë për neve si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për neve si shtet.

Pikërisht për këtë shkak që nuk kemi Kuvend e kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm reformash nga Plani i Rritjes nuk do të arrijnë të përmbyllen me sukses përbrenda afatit të paraparë e të paralajmëruar. Konkretisht, kemi 10 reforma që skadojnë më 30 qershor, 9 prej të cilave tashmë janë të rrezikuara, duke shkaktuar humbje të miliona eurove.

Bëhet fjalë për 12 projektligje, për hartimin e të cilave ministritë përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme, duke i përafruar ato me ligjet në Bashkimin Evropian dhe me standardet evropiane. Tre prej tyre tashmë i kemi miratuar në Qeveri: bëhet fjalë për projektligjin për energjinë, e kemi miratuar më 10 prill; projektligjin për energjinë elektrike, më 14 prill; dhe projektligjin për inovacion dhe ndërmarrësi, më 20 prill. Projektligjet e tjera sikurse 6 projektligjet e pakos së reformës në drejtësi, për ndihmë shtetërore, për kamatë-vonesat në transaksionet bankare, për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, janë në finalizim dhe do të mund të miratoheshin këtë muaj po të kishim Kuvend funksional. Pra, sikur kuvendi të kryente punën për çfarë i kanë votuar deputetët qytetarët e Republikës, asnjë hap nuk do të humbej.

Të nderuar ministra dhe ministre,

Zëvendësministre e zëvendësministra,

Të nderuar përfaqësues nga institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës,

Zgjedhjet ishin të panevojshme, sepse ofruam zgjidhje të shumta. Sot do të kishim një president të propozuar nga opozita. Nuk deshën pasi qartazi donin zgjedhje me çdo kusht.

Ky veprim i paarsyeshëm po na kushton jo vetëm me humbje të miliona eurove nga Bashkimi Evropian, por edhe në humbje të kohës e ngadalësim të procesit të integrimit.

Reformat nga Plani i Rritjes janë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, por fatkeqësisht bllokada me të cilën po ballafaqohemi ne, është për të ngadalësuar atë.

Por, qytetarët si çdoherë, do ta zhbllokojnë edhe kuvendin e do t’i përshpejtojnë reformat.

Ne po punojmë që çdo hap që mund të bëhet nga qeveria, të kryhet. Pra, jemi në krye të detyrës. E, çdo hap që kërkon miratim në kuvend, të jetë gati për seancën e radhës pas zgjedhjeve, ashtu që afati i dhjetorit të mos rezultojë me humbje të mëtutjeshme.

Janë gjithsej 79 hapa të reformave që përfshijnë periudhën 2024 – 2026 me vlerë financiare prej mbi 579 milionë euro. Pra, reformat që duhet të kryhen deri në dhjetor përbëjnë 2/3-tat e Planit të Rritjes apo saktësisht 65.65%. Është e domosdoshme që zgjedhjet e reja të sjellin deputetë, të cilët marrin pjesë në kuvend, ashtu që të votohen e konstituohen, e funskionalizohen në mënyrë demokratike për efikasitet të lartë institucionet dhe ligjet e zbatimi i tyre.

Ju faleminderit shumë për vëmendje e mirë u pafshim në takimin e radhës!