Me Akademinë Solemne “Dituria Islame 1986-2026, 40-vjet dritë e dijes, zë i besimit dhe i kombit”, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), shënoi 40-vjetorin e botimit të parë të revistës fetare, shkencore dhe kulturore “Dituria Islame”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë akademi u vlerësua roli i revistës në promovimin e dijes, kulturës, identitetit fetar dhe kombëtar, si dhe kontributi i saj në dokumentimin e zhvillimeve shoqërore e historike në Kosovë gjatë katër dekadave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se revista “Dituria Islame” ka qenë pjesë e rëndësishme e hapësirës publike dhe intelektuale në Kosovë.

“Për katër dekada me radhë revista ‘Dituria Islame’ ka qenë pjesë e hapësirës sonë publike dhe intelektuale, duke i trajtuar tema të besimit, kulturës, historisë, arsimit dhe të jetës shoqërore në përgjithësi. Ajo përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së publicistikës fetare në gjuhën shqipe dhe një prej botimeve më jetëgjata të BIK-ut. E themeluar në qershor të vitit 1986, revista ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe përkushtim në shpalosjen e dinamikave shoqërore në periudha të ndryshme historike. Kosova në okupim gjatë viteve të 90-ta, gjersa liria e shprehjes dhe informimit në gjuhën shqipe përballeshin me kufizime të rrepta, revista ‘Dituria Islame’ e ruajti dhe e vazhdoi botimin dhe shërbeu si hapësirë informimi, reflektimi dhe dokumentimi për zhvillimet që preknin shoqërinë tonë. Përmes faqeve të saj u pasqyruan sfidat me të cilat përballeshin qytetarët e Kosovës si dhe ngjarjet e rëndësishme të kohës. Në këtë mënyrë revista kontribuoi në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në dëshmimin e realiteteve të kohës për brezat që erdhën më pas”, tha Kurti.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, tha se shkrimi dhe dija zënë vend qendror në qytetërimin islam dhe se revista ka luajtur rol të rëndësishëm në edukim dhe zhvillimin e vetëdijes shoqërore.

“Shkrimi dhe dija zënë një vend qendror në qytetërimin islam duke u konsideruar jo vetëm komunikim, por amanet hyjnor, intelektual dhe civilizues. Që nga shpallja e parë kuranore me urdhrin ‘Lexo’, dhe përmendjen e penës, islami ka ngritur dijen dhe dokumentimin e saj në vend të vlerave themelore të zhvillimit njerëzor. Gjatë katër dekadave të veprimtarisë së saj kjo revistë ka shërbyer si platformë e dialogut shkencor, edukimit dhe afrimit të identitetit shpirtëror e kombëtar. Kontributi i saj i vazhdueshëm përbën një dëshmi të gjallë të përkushtimit ndaj dijes, vlerave universale dhe zhvillimit të vetëdijes shoqërore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë bashkëkohore të shqiptarëve”, tha ai.

Kryeredaktori i revistës “Dituria Islame”, Driton Arifi, tha se revista ka pasur mision të rëndësishëm në zhvillimin e vetëdijes fetare, kulturore dhe kombëtare.

“Kjo revistë që mori mbi supet e veta përgjegjësinë për të zhvilluar vetëdijen fetare, kulturore e kombëtare shqiptare, duke vënë dijen, edukimin dhe formimin intelektual në qendër të misionit të saj. Vërtet ‘Dituria Islame’ ishte ajo që u themelua me një mision fisnik, po aq sa ishin fisnikë edhe ideatorët idealistë dhe lapsat e palodhshëm të saj. Si e tillë mori mbi supe që në këto troje të mbante ndezur fenerin e dijes, ta forconte besimin në Zot, ta predikonte universalitetin e mesazhit hyjnor e ta çelikoste aspiratën për liri. ‘Dituria Islame’ fliste sikur populli ynë, ajo harmonizohej me pulsin e zemrës së tij, ëndërronte guximshëm sikurse patriotët e tij dhe rezistonte sikurse heronjtë e tij. Ajo tregoi më së miri se populli ynë, specifikisht intelektualët e mirëfilltë të saj, nuk e durojnë mospërfilljen dhe i rezistojnë tentativave mjerane të gjithë atyre që përpiqen padrejtësisht ta shuajnë zërin e tij”, tha Arifi.