Kurti kërkon korrigjimin e ekspozitës për krimet e luftës dhe rikthimin e saj të plotë në qershor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ekspozitën mbi masakrat e luftës në Kosovë, duke theksuar nevojën për korrigjimin dhe rikthimin e saj në një formë më të saktë e gjithëpërfshirëse.

Ai njoftoi se ekspozita tashmë është larguar nga sheshi. Edhe pse përfshinte disa raste të rëndësishme, ajo kishte mangësi dhe gabime në përmbajtje që duhet patjetër të përmirësohen.

Kurti theksoi se dokumentimi dhe prezantimi i saktë i krimeve të luftës është thelbësor, jo vetëm për opinionin ndërkombëtar, por edhe për shoqërinë kosovare, veçanërisht për brezat e rinj që nuk e kanë përjetuar luftën.

Sipas tij, një pjesë e madhe e popullsisë ose kanë qenë fëmijë gjatë luftës, ose kanë lindur pas saj. Prandaj, është e domosdoshme që e vërteta historike të ruhet dhe të prezantohet drejt.

Ai vlerësoi se një ekspozitë e tillë ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit, duke ndihmuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ndërgjegjësimin për çmimin e lartë të lirisë. Kurti theksoi se shumica e viktimave të luftës në Kosovë ishin civilë.

“Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë, jo vetëm për të kaluarën. Gjithashtu, është thelbësore për aspektin ndërkombëtar, sepse ne dëshirojmë që bota me të cilën kemi ndërveprim të dendur të mos harrojë asnjëherë se çmimi i lirisë dhe i pavarësisë ishte shumë i lartë, sidomos për popullsinë civile, pasi shumica dërrmuese e të vrarëve në Kosovë janë civilë,” deklaroi ai.

Kryeministri u shpreh se një ekspozitë e rishikuar dhe e bazuar në fakte duhet të rikthehet sa më shpejt, duke sugjeruar muajin qershor, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, si një moment të përshtatshëm.

“Një ekspozitë e saktë, e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha e vërtetë për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje, një datë optimale do të ishte qershori, përkatësisht në kohën kur shënojmë 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës,” deklaroi ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai shtoi gjithashtu se një nismë e tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në Prishtinë, por të shtrihet në të gjitha komunat e vendit, për ta bërë sa më të qasshme për qytetarët.