**Qeveria miraton pagën e 13-të për sektorin publik; Azemi e cilëson diskriminim dhe kërkon korrigjim**
Qeveria e Kosovës miratoi sot vendimin për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik. Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të theksuar te punëtorët e sektorit privat që u shërbejnë institucioneve publike, të cilët janë përjashtuar nga ky përfitim.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), e cilësoi vendimin si diskriminues dhe kërkoi korrigjimin e tij për të përfshirë edhe këta punëtorë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi sqaroi se sindikata gëzohet për vendimin e Qeverisë, por vlerëson se ai ka krijuar diskriminim në nivel vendi. Ai theksoi se sektori privat përbëhet nga mbi 200 mijë punëtorë që kontribuojnë në buxhetin e Kosovës, prodhojnë dhe mbulojnë pjesën dërmuese të tij. Për më tepër, punëtorët e sektorit privat kanë paga shumë më të ulëta dhe një gjendje sociale më të rëndë.
“Në vend që këta të jenë prioritet, qeveria ka vepruar të kundërtën. Ne jemi punëtorët që prodhojmë, ndërsa ata të sektorit publik shpenzojnë. Megjithëse gëzohemi për pagën e 13-të të sektorit publik, jemi nën presion të madh nga punëtorët privatë që pyesin: ‘Pse ata marrin e ne jo? Çfarë na dallon nga punëtorët e sektorit publik?’”, u shpreh Azemi.
Ai shtoi se ky nuk është diskriminimi i parë ndaj këtyre punëtorëve, duke e cilësuar si “diskriminim njerëzor dhe në kategorizimin e punëtorëve.” Sipas tij, nëse dikush duhej të ishte i pari që të merrte këtë pagë, ata janë punëtorët privatë. Azemi argumentoi se edhe pronarët e kompanive ndodhen në një gjendje të rëndë ekonomike, prandaj shtoi se “është bërë një gabim shumë i madh, ndoshta do të korrigjohet që edhe këtyre punëtorëve duhet t’u ndahen mjete.”
Azemi theksoi se komunikimi me Qeverinë Kurti është i pamundur. “Përvoja ka treguar se kemi përfituar vetëm përmes presioneve të mëdha. Me këtë qeveri nuk mund të komunikohet, nuk të kuptojnë dhe kanë qëndrime fikse. Shkurt, punëtorëve të sektorit privat u takon paga e 13-të, por Kryeministri dhe Ministri i Financave nuk po e shohin të arsyeshme ndarjen e saj, duke injoruar orientimin tonë,” tha ai.
Ai bëri të ditur se ankesat janë të shumta, veçanërisht nga punëtorët që ofrojnë shërbime për institucionet shtetërore, si punëtorët e sigurisë apo ata teknikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Universitetin e Prishtinës. “Këta punëtorë paguhen nga buxheti i shtetit, por nuk po përfitojnë nga paga e 13-të, gjë që ka shkaktuar presion të madh. Prandaj, punëtorët duhet të organizohen dhe të ushtrojnë presion në instancat e duhura për të parandaluar situata të tilla,” shtoi Azemi, duke theksuar se në të kaluarën nuk kanë pasur gjithmonë sukses kundrejt udhëheqësve që “nuk e kanë merakun e punëtorëve të sektorit privat.”
Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë, sqaroi se ky vendim vlen “për të gjithë punonjësit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës, pra për zyrtarët publikë.” Ai specifikoi se paga e 13-të u takon personave që kanë shërbyer plot 12 muaj në sektorin publik dhe se vlera e saj është e barabartë me koeficientin e pozicionit të tyre, shumëzuar me vlerën monetare të njësisë së koeficientit, për personat që janë në listën e pagave në muajin mars.
(EkonomiaOnline)
