Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur një tubim me mërgimtarët në Zvicër, ku ka bërë deklarata të forta kundër korrupsionit, duke theksuar se “nuk mund të jesh njëkohësisht patriot dhe hajdut”, dhe po ashtu “nuk ka edhe çlirimtar, edhe keqbërës”.

Ai shtoi se pas luftës ka pasur raste kur dikush, pasi ka qenë patriot, ka thënë ‘po pushoj pak’, gjë që sipas tij, ‘nënkupton korrupsion’.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh prerazi: “Nuk ka edhe patriot edhe hajdut; ose patriot ose hajdut. Nuk ka edhe çlirimtar edhe keqbërës; ose çlirimtar ose keqbërës. Ne jemi bashkë me ju për patriotët çlirimtarë, kundër hajdutëve keqbërës. Patriotizmi është punë pa pushim. Nuk mund të thuash ‘po pushoj pak’, sepse pushimi, në këtë kontekst, nënkupton korrupsionin.”

Ai e përshkroi patriotizmin si “punë pa pushim, punë që nuk ndalet, ashtu siç nuk ndalet frymëmarrja deri në sekondat e fundit të jetës”. Sipas tij, kjo traditë vazhdon edhe pas vdekjes, me shumë njerëz që lënë amanet të mbulohen me flamurin kombëtar. Deklaratat e Kurtit u transmetuan nga Nacionale.

Siç ndodh shpesh në tubimet e tij, Kurti kritikoi edhe opozitën, duke pretenduar se ajo po synon të vonojë formimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai deklaroi se “inati i vitit të kaluar i opozitës ka rënë, por jo krejt”. Kurti shtoi se megjithëse opozita po përpiqet të vonojë punët, “ne nuk ndalemi”. “Unë jam kryeministër në detyrë, dhe bashkë me detyrat e kryeministrit, kemi edhe presidenten në detyrë. Nuk kemi Kuvend, por ai do të bëhet. Punët e shtetit dhe funksionimi i Qeverisë nuk ndalen asnjëherë,” tha ai. Kurti theksoi se “ata po duan të na vonojnë sepse e kanë shumë problem Byronë”. Ai e përfundoi fjalën e tij me shembuj konkretë kundër shpërdorimit, duke thënë: “Nuk mund të mendosh që hektari i tokës së Kosovës, i larë me djersë e gjak, të blihet me 50 euro e të bëhet i yti. Nuk mund të paguash një ari 3 euro e të mendosh që bëhet i yti.”