Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit, Kurti theksoi se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ka përfunduar dhe shprehu shpresën se gjatë shkallës së apelit do të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit të shkallës së parë, duke shprehur shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Diskutimet u fokusuan në zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kryeministri Kurti falënderoi znj. Pierce për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe vlerësoi mbështetjen e palëkundur të saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ai theksoi se Kosovën dhe Mbretërinë e Bashkuar i lidh jo vetëm historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në këtë kontekst, u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në fund të takimit, Kurti pati kënaqësinë t’i uronte paraprakisht ditëlindjen Dame Karen Pierce, e cila feston nesër, si dhe t’i dhuronte një kujtim nga Republika e Kosovës.
