Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar takime me partitë opozitare lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Këtë deklaratë ai e bëri sot, ndërsa po shkonte drejt ambienteve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvend, pak para seancës plenare të paralajmëruar për në orën 10:00.
I pyetur nga gazetarët e RTV21 nëse do të ketë takime, Kurti u përgjigj shkurtimisht me “Sigurisht”.
Kjo vjen më shumë se një javë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti të zgjidhet brenda një afati prej 34 ditësh, por deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Pak ditë më parë, Kurti kishte paralajmëruar gjithashtu takime me kryetarët e partive opozitare, por kishte theksuar se më parë i duheshin “konsultime të brendshme”, për të cilat, sipas tij, ende nuk kishte pasur kohë t’i realizonte.
