Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishin të nevojshme dhe se rezultati i tyre e dëshmon këtë. Ai theksoi se qytetarët kanë folur sërish qartë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë mbledhjes së parë fizike të Qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme, Kurti u shpreh: “Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë para se ato të ndodhnin. Qytetarët folën sërish qartë; rezultati duhet të pranohet dhe të respektohet.”
Ai shtoi se pas certifikimit të rezultatit do të nisin punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja.
“Andaj, sapo të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes,” theksoi Kurti.
