Agjencia e Metrologjisë së Kosovës shënoi Ditën Botërore të Metrologjisë me temën: “Ndërtojmë Besim në Vendimmarrje”, e cila synon të promovojë rëndësinë e metrologjisë në zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e besimit në vendimmarrje.
Kjo ngjarje vë në pah rolin e rëndësishëm të shkencës së matjes në jetën e përditshme, duke theksuar ndikimin e metrologjisë në cilësinë e jetës, mbrojtjen e mjedisit, si dhe garantimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë përmes matjeve të sakta dhe standardeve ndërkombëtare.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se institucionet e Kosovës mbeten te përkushtuara në ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm metrologjik.
“Vetëm për tre muaj angazhim kemi arritur të inkorporojmë direktivat evropiane që lidhen me metrologjinë, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Metrologji dhe Rregullores për mjetet matëse ligjërisht të kontrolluara. Për vitin aktual jemi kujdesur që të kemi investime në laborator në vlerën 600 mijë euro për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit”, tha ajo.
Drejtoresha Ekzekutive e AMK-së, Sebahate Bushrani-Ibraimi, bëri të ditura edhe shifrat e matjeve.
“Te madhësitë mekanike gjatë këtij viti kemi pasur rreth 9,670 matje, ato elektrike rreth 1,473 sasi, ndërsa për metalet e çmuara 421 kërkesa”, ka thënë ajo.
Alkida Llakaj, Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë së Shqipërisë, tha se matja është më shumë se një proces teknik.
“Roli i matjes është themelor dhe bashkëpunimi i institucioneve tona është i një rëndësie të veçantë për të avancuar standardet e cilësisë me praktikat më të mira ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Po ashtu, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Byrosë së Metrologjisë së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë së Shqipërisë.
