Afati kalimtar i verës ka hyrë në javën e fundit dhe njëri prej emrave më të nxehtë, tashmë prej disa kohësh, është Rafael Leao.

Milani, dhe kjo nuk është më sekret, do të ishte i gatshëm ta shiste portugezin në këtë afat kalimtar, por të paktën për momentin ka disa pengesa për t’u kapërcyer.

E para lidhet me vlerësimin e bërë nga Milani, i cili nuk e ka ndërmend ta shesë lirë numrin 10 të tij, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.

Por mbi të gjitha është pengesa e dytë ajo që aktualisht po bllokon gjithçka: vetë Leao i ka refuzuar tashmë disa destinacione, pavarësisht punës së menaxherit të tij, Jorge Mendes, i cili po përpiqet të gjejë një zgjidhje.

Rafael Leao, siç ishte raportuar edhe javën e kaluar, e kishte refuzuar tashmë Aston Villan.

Megjithatë, me shpresën se lojtari mund të ndryshonte mendje, Milani u ul në tryezën e negociatave me klubin anglez, por pa arritur marrëveshje dhe pista tashmë është ftohur.

Kontaktet mes dy klubeve nuk e sollën një marrëveshje për sa i përket kostos së operacionit, me klubin anglez që, në fakt, po tërhiqet nga gara për sulmuesin e Milanit.

Përveç kësaj, ka pasuar edhe refuzimi i portugezit ndaj Al Hilal të Simone Inzaghit, i cili më pas u orientua fillimisht drejt Conceicaos dhe më pas drejt Martinellit.

Ideja e Leaos mbetet e njëjtë: të qëndrojë te Milani, kur kanë mbetur edhe dy vite nga përfundimi i kontratës së tij, ose të transferohet te Galatasaray.

Për këtë mundësi të fundit ka disa zhvillime të reja, pasi turqit tani janë të gatshëm ta rrisin ofertën, ndryshe nga ajo që kishin bërë të ditur ditët e fundit.

Galatasaray është gati të arrijë në 40 milionë euro, plus disa bonuse të vogla.

Një shifër që nuk po e bind plotësisht Milanin, por në javën e fundit të “merkatos” gjithçka mund të ndodhë. /Gazeta Express