**Limaj: Rikthimi i Jakup Krasniqit në Hagë, dhimbje për çdo patriot dhe turp për shtetin e Kosovës**
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si një zhvillim të rëndë dhe të dhimbshëm largimin e Jakup Krasniqit nga shtëpia e tij në Prishtinë, për t’u kthyer sërish në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjatë një prononcimi në emisionin “Politiko”, Limaj theksoi se kjo situatë nuk është e dhimbshme vetëm për familjen Krasniqi, por për çdo patriot shqiptar, ndërsa e konsideroi atë njëkohësisht si të turpshme dhe poshtëruese për shtetin e Kosovës.
Ai nënvizoi se raste të tilla dëshmojnë mungesën e seriozitetit me të cilin trajtohet shteti i Kosovës nga aktorët e tjerë dhe mënyrën se si sillen ndaj institucioneve të tij.
“Është shumë e rëndë dhe e dhimbshme, jo vetëm për familjen, por për çdo patriot shqiptar. Në të njëjtën kohë është shumë e turpshme dhe poshtëruese për shtetin tonë”, citohet të ketë thënë Limaj.
Sipas tij, është shqetësuese që përfaqësuesit e Gjykatës Speciale nuk kanë besim se institucionet e Kosovës mund të marrin përgjegjësinë për përcjelljen dhe mbikëqyrjen e të paraburgosurve gjatë qëndrimit të tyre në vend.
Limaj kritikoi ashpër edhe qasjen e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se ato janë tërësisht të heshtura dhe se qytetarëve u mbetet vetëm të reagojnë përmes deklaratave dhe shkrimeve publike.
“Një shtet normal nuk do të pranonte një sjellje të tillë. Do të thoshte se ne marrim përgjegjësi këtu. Kur vijnë ata, pezullohen institucionet tona. Shteti është pezulluar sot plotësisht dhe ne jemi spektatorë”, deklaroi Limaj.
