Liverpooli raportohet se ka përgatitur një listë me katër kandidatë për të zëvendësuar Ibrahima Konatén pas transferimit të tij te Real Madridi.
Pas disa javësh shumë të ngarkuara në “Anfield”, situata duket se nuk po qetësohet, me disa largime të konfirmuara tashmë.
Kontrata e Mohamed Salahut pritet të skadojë në fund të këtij muaji, njësoj si ajo e Andrew Robertsonit, me mbrojtësin skocez që tashmë ka konfirmuar kalimin e tij te Tottenham Hotspuri.
Gjithashtu, Curtis Jonesi, Federico Chiesa dhe talenti i ri Rio Ngumoha janë lidhur me transferime jashtë Anglisë, ndërsa është përmendur edhe mundësia e një shkëmbimi ku Cody Gakpo mund të përfshihet në një marrëveshje me RB Leipzigun për Yan Diomanden.
Ndërkohë, trajneri Arne Sloti u shkarkua më 30 maj dhe është konfirmuar se vendin e tij e ka marrë Andoni Iraola, ish-trajneri i Bournemouthit.
Sipas raportimeve të “Caught Offside”, Liverpooli ka përgatitur një listë me katër mbrojtës për të zëvendësuar Konatén.
Një opsion i preferuar mbetet mbrojtësi i Sporting CP, Gonçalo Inácio, i cili vlerësohet për aftësinë në ndërtimin e lojës dhe agresivitetin në duele.
Po ashtu, klubi është i lidhur me Sam Beukema të Napolit, megjithëse ai nuk konsiderohet objektivi kryesor për momentin.
Në listë është edhe Luka Vuškovići, i cili u huazua te Hamburgu dhe është në pronësi të Tottenham Hotspurit. Ai ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Spurs.
Emri i fundit në shortlistë është mbrojtësi i Nottingham Forestit, Murillo, i cili vlerësohet për forcën fizike, eksperiencën në Premierligë dhe aftësinë si mbrojtës i majtë.
Liverpooli gjithashtu është lidhur me disa lojtarë që kanë punuar më parë me Iraolan te Bournemouthi, përfshirë Alex Scottin, Rayanin, Eli Junior Kroupin dhe Adrien Truffertin.
Afati i merkatos së verës hapet më 15 qershor./GazetaExpress/
