**Lladrovci fton qytetarët në hapjen e fushatës së PDK-së në Drenas më 1 Qershor**

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë fushatën zgjedhore në Drenas më 1 qershor, ndërsa kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubimin hapës.

Tubimi do të mbahet të hënën, më 1 qershor, në orën 19:30, në Sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” në Drenas.

Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci i është drejtuar qytetarëve të Drenasit, duke theksuar se më 1 qershor fillon “orteku i fitores” së PDK-së. Ai i ka ftuar ata të bëhen pjesë e kësaj fitoreje, duke e cilësuar PDK-në si “partinë kontribuese të çdo arritjeje në Republikën e Kosovës” dhe si mbartëse të “vizionit të heronjve tanë të luftës dhe paqes”.

Lladrovci ka theksuar rëndësinë e tubimit si një dëshmi e “fitores shembullore” dhe si vendi nga ku do të përcillet “porosia e unitetit, gatishmërisë për fitore dhe fuqizimit të fitores së PDK-së dhe numrit 125”. Ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke i ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote “në zemrën e Kosovës, për të riafirmuar vullnetin për fitore shembullore në komunën që dha aq shumë për lirinë”.

Kryetari i Komunës ka përsëritur se Drenasi “ka qenë, është dhe do të jetë i bashkuar, në rrugën e vlerave të partisë së krijuar nga Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën”, duke përsëritur thirrjen për bashkim në orën 19:30 në Sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.