Akuzat mes partive politike në lidhje me votimin e diasporës vijojnë. LSDM-ja akuzon sërish qeverinë se po vazhdon përpjekjet, sipas tyre, për ndërhyrje zgjedhore dhe manipulim të votave të mbi 200,000 qytetarëve nga diaspora.

Partia opozitare thekson se nuk është kundër votës së diasporës, por kundër një modeli që do të hapte rrugën për manipulime zgjedhore.

“Pas dështimit të përpjekjes së tyre të dyshimtë për votim elektronik, pa asnjë kontroll, ata tani po tentojnë të vendosin votimin me postë, sërish pa garanci sigurie për vullnetin e lirë të votuesve. Mickovski-t nuk i intereson Agjenda e Reformave; ajo është vetëm një maskë për manipulimet zgjedhore. Është gënjeshtër se LSDM-ja është kundër votës së diasporës, pasi emigrantët tashmë votojnë. Ne jemi kundër një modeli që hap rrugën për abuzime zgjedhore dhe manipulimin e votave të 200,000 qytetarëve që jetojnë jashtë vendit”, deklaruan nga LSDM-ja.

Partia opozitare beson se qeveria duhet të tërhiqet nga këto synime dhe të paraqesë një propozim të ri, ku Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të rregullonte votimin e diasporës me konsensus të plotë.