Kina po përballet me një valë moti ekstrem, përfshirë stuhi të fuqishme dhe tornado shkatërruese, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën 11 persona, qindra të plagosur dhe kanë detyruar mijëra të tjerë të evakuohen.
Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar zyrtarët të bëjnë “çdo përpjekje” për të shpëtuar personat e prekur, duke kërkuar mobilizimin e burimeve për trajtimin e të plagosurve, strehimin e banorëve dhe menaxhimin e parandalimin e katastrofave natyrore.
Dëmet më të mëdha janë regjistruar në provincën qendrore Hubei, ku bilanci i viktimave shkon në 11 të vdekur dhe mbi 330 të plagosur, ndërsa një person mbetet i zhdukur. Stuhitë e fuqishme, të shoqëruara me tornado – një fenomen i rrallë për këtë zonë – si dhe erëra të forta dhe bubullima, kanë shkatërruar mijëra ndërtesa, kanë përmbysur automjete dhe kanë rrëzuar çati në disa qytete.
Paralelisht, provincat jugore Guangxi dhe Guangdong kanë ngritur alarmin e përmbytjeve në nivelin më të lartë. Reshjet e dendura, të sjella nga tajfuni Maysak, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Autoritetet e Guangxi-t kanë konfirmuar viktima dhe mijëra persona të prekur nga përmbytjet, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe ndihmës janë në vijim.
Ndërkohë, përmbytjet janë një dukuri e zakonshme në Kinë gjatë muajve të verës, por intensiteti i lartë i ngjarjeve të këtij viti ka shkaktuar shqetësim të madh te autoritetet, raporton DW.
