**Lushaku-Sadriu: Vullneti Politik Mundëson Krijimin e Institucioneve**

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është dëshmi e qartë se institucionet krijohen kur ekziston vullnet politik mes subjekteve parlamentare.

Ajo sqaroi se, pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), LDK-ja iu bashkua seancës konstituive, ku u votua kandidati i saj, Kujtim Shala, për nënkryetar të Kuvendit.

Lushaku-Sadriu theksoi se “kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik dhe ushtrohet demokracia, formohen institucionet. Është e qartë se vetëm mungesa e vullnetit politik nga grupi i parë parlamentar ka shkaktuar vonesat deri më sot. Ne, në seancën e fundit, u bëmë thirrje që t’u njihej e drejta partive politike për të propozuar kandidatët e tyre për nënkryetarë. Vetëm pas ndryshimit të qëndrimit të tyre ne u bashkuam me seancën dhe u votua propozimi i kandidatit të LDK-së për nënkryetar, duke i dhënë kështu institucione vendit.”

Ajo shpjegoi se qëndrimi i LDK-së ishte që të shfrytëzohej deri në fund e drejta për dialog dhe dorëzimin e propozimeve. Megjithatë, ajo shtoi se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte dalë me një qëndrim të ri politik.

“Mungesa e vullnetit për votimin e nënkryetarëve dhe mosnjohja e të drejtës së tyre ka krijuar këtë situatë. Ne bëmë thirrje që të shfrytëzohej e drejta e dialogut dhe të gjitha grupet parlamentare të bënin propozimet e tyre,” shtoi Lushaku-Sadriu. “Ndërkohë, PDK-ja ka shfaqur një qëndrim politik për të mos marrë pjesë në seancë, duke paralajmëruar adresimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ne do të kontribuojmë për sqarimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së institucioneve.”