Shikoheni në pasqyrë dhe për një moment ju duket sikur pamja juaj ka ndryshuar: lëkura është më e zbehtë, poshtë syve shfaqen rrathë të errët, ndërsa puçrrat mund të bëhen më të dukshme.
Për shumë gra, kjo ndjesi shfaqet gjatë fazës luteale, periudha e fundit e ciklit menstrual, dhe në rrjetet sociale tashmë ka marrë edhe një emër joformal: “luteal uglies”.
Termi nuk është mjekësor, por përdoret për të përshkruar ndjesinë se pamja është më pak e freskët apo më pak tërheqëse në ditët para menstruacioneve.
Çfarë ndodh gjatë fazës luteale?
Faza luteale zakonisht zgjat rreth 12 deri në 14 ditë dhe nis pas ovulacionit.
Sipas doktoreshës Mariam Farshchi, gjatë kësaj periudhe ndryshojnë nivelet e dy hormoneve kryesore riprodhuese: estrogjenit dhe progesteronit.
@claire.elis the luteal phase is half your life- learn how to lean into your fluctuating hormones! #lutealphase #hormoneimbalance #hormonehealth ♬ original sound – claire elisabeth
Estrogjeni dominon më shumë në gjysmën e parë të ciklit dhe lidhet me energjinë, humorin dhe gjendjen e lëkurës.
Pas ovulacionit rritet progesteroni, i cili përgatit trupin për një shtatzëni të mundshme.
Në ditët para menstruacioneve, nivelet e të dy hormoneve bien ndjeshëm, dhe këto ndryshime mund të reflektohen në mënyrën se si ndihet trupi.

A ndryshon vërtet pamja?
Jo domosdoshmërisht në mënyrë të dukshme.
Por gjatë fazës luteale, lëkura mund të bëhet më e yndyrshme dhe të ketë më shumë gjasa për puçrra.
Gjumi mund të jetë më i çrregullt, ndërsa ndryshimet hormonale mund të shoqërohen me lodhje, ankth, humor të ulët dhe ndjesi fryrjeje.
@sydwingold Another beautiful luteal phase ❤️
Kur bashkohen lodhja, mbajtja e lëngjeve dhe disa probleme të vogla të lëkurës, është e lehtë që një person të ndihet sikur duket më keq, edhe kur ndryshimi real në pamje është minimal.
Pse ovulacioni shpesh lidhet me “shkëlqimin”?
Rreth mesit të ciklit, gjatë ovulacionit, niveli i estrogjenit arrin kulmin.
Kjo mund të ndikojë që lëkura të duket pak më e plotë, ndërsa energjia dhe vetëbesimi te disa gra mund të jenë më të larta.
Për këtë arsye, shumë gra raportojnë se ndihen më mirë me veten rreth ovulacionit dhe më të lodhura ose më të ndjeshme emocionalisht para menstruacioneve.
A është normale?
Sipas doktoreshës Farshchi, këto ndryshime mund të jenë pjesë normale e një cikli menstrual të shëndetshëm.
Kjo nuk do të thotë se një grua “duket më keq” për dy javë çdo muaj.
Hidratimi i mirë, një rutinë e qëndrueshme për kujdesin ndaj lëkurës dhe gjumi i mjaftueshëm mund të ndihmojnë në zbutjen e disa simptomave.
Megjithatë, nëse ndryshimet e humorit, ankthi, lodhja ose simptomat fizike bëhen të rënda, vazhdojnë edhe pas menstruacioneve ose ndikojnë rregullisht në punë, marrëdhënie apo jetën e përditshme, rekomandohet konsultimi me mjekun.
Në raste të tilla mund të vlerësohet nëse bëhet fjalë për sindromë premenstruale (PMS), çrregullim disforik premenstrual (PMDD) apo një gjendje tjetër që kërkon vëmendje. /GazetaExpress/
