KF Malisheva ka konfirmuar largimin e trajnerit Thomas Brdariq, duke paralajmëruar gjithashtu ndërmarrjen e hapave ligjorë ndaj tij. Ky vendim vjen pasi trajneri kroato-gjerman ka pranuar një ofertë nga skuadra saudite e ligës së dytë, Al-Bukiryah FC, duke e lënë kështu klubin pa drejtues teknik.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi kosovar përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Në njoftimin e tyre, KF Malisheva thekson se Brdariq ka vendosur “të ndërpresë në mënyrë të njëanshme kontratën e tij të punës me klubin”.

Pavarësisht këtij vendimi, klubi shprehu mirënjohjen për trajnerin Brdariq “për angazhimin dhe punën e bërë gjatë periudhës së tij në klub”. Megjithatë, Malisheva nënvizoi se “në lidhje me përfundimin e njëanshëm të kontratës, klubi do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë dhe institucionalë për të mbrojtur interesat e klubit dhe për ta përmbyllur këtë çështje në përputhje me dispozitat kontraktuale dhe rregulloret në fuqi”. Klubi i uroi gjithashtu suksese trajnerit në sfidën e tij të re.

Largimi i Brdariq vjen në një moment kur ai e lë skuadrën e Malishevës në vendin e parë të tabelës. Nën drejtimin e tij, klubi ka regjistruar 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje në ndeshjet e zhvilluara./IndeksOnline/