Ylli i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi është transferuar edhe zyrtarisht te Fenerbahçe, pas një aventure prej tri vjet e gjysmë te Mallorca.

Sulmuesi dardan është rikthyer në Turqi te Fenerbahçe, ku kaloi një sezon (2019/20), në të cilin shënoi 15 gola në elitën e futbollit turk.

Transferimi i tij në Stamboll u zyrtarizua mbrëmë, teksa sot ka reaguar tashmë edhe ish-klubi i tij, Mallorca.

“RCD Mallorca dhe Fenerbahçe SK kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar largohet nga ishulli si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i RCD Mallorca në La Liga”, shkruan Mallorca në platformën “X”.

Edhe Muriqi reagoi pas transferimit te Feneri, duke thënë disa fjalë për Mallorcën.

“Një faqe mbyllet, por kujtimet do të mbeten me mua përgjithmonë. Gjithmonë në zemrën time. Lamtumirë, Mallorca”, shkroi ai në “X”.

Mallorca po ashtu ndau një video në “X”, të 57-të golave të shënuar nga Muriqi me fanellën e ishullorëve.

Muriqi largohet nga Mallorca, me 57 gola të shënuar në La Liga, një shifër rekorde, të cilën e theu këtë edicion, në të cilin shënoi 23 gola. Ai përfundoi i dyti në listën e golashënuesve, pas Kylian Mbappes.

Në përgjithësi, Muriqi shënoi 58 gola në karrierën e tij te Mallorca, duke e mbyllur aventurën me ishullorët si golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Mallorcas.

I pari është Samuel Eto’o me 70 gola, derisa i dyti është Abdon Prats me 59 sosh./GazetaExpress/