Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, e cila ka nisur që nga 9 shkurti i vitit 2025, si pasojë e mungesës së kompromisit dhe ambicieve për dominim të partisë më të madhe politike. Kështu vlerëson politologu Albinot Maloku, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Maloku thekson se kjo gjendje e jostabilitetit është krijuar me vullnet politik dhe synon përqendrimin e pushtetit në duart e një subjekti, gjë që nuk i shërben interesit të qytetarëve.
Sipas tij, procesi zgjedhor i mundshëm po kërkohet nga partia më e madhe në vend. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të gjykojnë situatën jo mbi bazën e perceptimeve apo narrativave të krijuara në opinion, por mbi faktet dhe përvojën e Republikës së Kosovës që nga 9 shkurti 2025, duke përfshirë krizat e ndryshme dhe izolimin.
Maloku shton se ndonëse zgjedhjet eventuale mund të ndryshojnë balancat politike në Kuvend, funksionimi i sistemit politik në Kosovë është i pamundur pa kompromis dhe konsensus. Ai nënvizoi se kompromisi duhet të jetë thelbi i çdo përparimi, përndryshe vendi nuk do të ecë përpara me rregullimin aktual kushtetues dhe politik.
Kriza politike lidhet drejtpërdrejt me dështimin për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Që nga 25 marsi, pas rrëzimit të një dekreti të ish-presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit, ligjvënësit kanë pasur kohë për të arritur një marrëveshje. Zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose 61 vota në raundin e tretë, si dhe praninë e të paktën 80 deputetëve.
Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur disa takime me liderët e PDK-së dhe LDK-së, por ato dështuan. Opozita akuzon Kurtin për dëshirën për të mbajtur të gjitha pozitat kyçe, ndërsa ai ka theksuar se u ka ofruar poste qeveritare ose kryeparlamentarin në këmbim të votave për presidentin. Afati për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill.
