**Marrëveshja SHBA-Iran: Kontradikta pas raporteve për finalizim, Trump këmbëngul për avantazhin amerikan**

Pavarësisht njoftimeve fillestare se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin arritur një marrëveshje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve bërthamore – një ujdi që, sipas raportimeve të A2CNN, priste vetëm firmën e presidentit amerikan – zëvendëspresidenti JD Vance ka sqaruar se pakti ende nuk është finalizuar.

Të enjten, zyrtarë të administratës amerikane kishin sugjeruar se një marrëveshje ishte në prag, por pak orë më vonë, zëvendëspresidenti Vance deklaroi para gazetarëve se Teherani dhe Uashingtoni duhet të zgjidhin ende disa pika kyçe dhe të vështira përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Vance theksoi se ishte ende herët për të thënë “kur ose nëse” të dyja palët do ta finalizonin atë.

Duke folur për situatën, JD Vance u shpreh: “Kemi shkatërruar tashmë fuqinë e tyre ushtarake konvencionale dhe jemi në një pozicion ku mund ta frenojmë ndjeshëm programin e tyre bërthamor, jo vetëm gjatë mandatit të këtij presidenti, por edhe në afatgjatë. Kjo është një gjë shumë e mirë për popullin amerikan. Pra, ende nuk kemi arritur aty, por jemi shumë afër. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë.”

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë për Fox News, përsëriti qëndrimin e tij se çdo marrëveshje me Iranin do të varej nga arritja e një pakti të favorshëm për SHBA-në. Ai shtoi se Uashingtoni zotëron të gjitha avantazhet në negociatat me Iranin, ndërsa paralajmëroi se aksioni ushtarak mbetet një opsion nëse bisedimet nuk prodhojnë një rezultat të dëshirueshëm.

“Nuk do ta pranoja një marrëveshje që nuk do të ishte e mirë për ne, sepse po e analizoj situatën dhe do të shohim çfarë ndodh. Kjo është ajo që bëj unë, negocioj. Edhe ata negociojnë. Janë negociatorë shumë të aftë, dinakë. Por në fund ne i kemi të gjitha letrat në dorë, sepse i kemi mposhtur ushtarakisht. Shikoni, ata nuk kanë më marinë. Kishin 159 anije dhe secila prej tyre tani ndodhet në fund të detit,” deklaroi Trump.

Këto deklarata vijnë pas raporteve të mëparshme ku zyrtarë amerikanë kishin folur për një memorandum mirëkuptimi, i cili parashikonte zgjatjen e armëpushimit me 60 ditë dhe do t’i hapte rrugë bisedimeve mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit. Sipas këtyre raporteve, marrëveshja do të lejonte lëvizje të pakufizuar në Ngushticën e Hormuzit, do t’i jepte Iranit 30 ditë kohë për të hequr minat nga rruga e ngushtë detare, do të hiqte bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane dhe do të lehtësonte sanksionet kundër Iranit. Megjithatë, këto detaje mbeten në pikëpyetje pas deklaratave të fundit të zëvendëspresidentit Vance.