Mbappe përballet me sfidën e nxehtësisë në ndeshjen kundër Paraguajit: A rrezikon kjo shanset e Francës për Kupën e Botës dhe garën e Kylian Mbappes për “Këpucën e Artë”?

Ylli francez do të përballet me një situatë të pazakontë në rrugëtimin e Francës në Botëror, teksa “Gjelat” luajnë të shtunën kundër Paraguajit në fazën e 1/8 së finales.

Mbappe po zhvillon një nga paraqitjet individuale më të forta në historinë e Kupës së Botës, me tetë përfshirje direkte në gola në vetëm katër ndeshje.

Ai e nisi turneun me dy gola ndaj Senegalit, shënoi edhe kundër Irakut, asistoi dy herë ndaj Norvegjisë dhe realizoi dy gola të tjerë kundër Suedisë.

Aktualisht, Mbappe është i barazuar me Lionel Messin në garën për “Këpucën e Artë”, pasi të dy kanë shënuar nga gjashtë gola deri më tani në turneun që po zhvillohet në Amerikën e Veriut.

Messi, i konsideruar nga shumë si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, nuk e ka fituar asnjëherë “Këpucën e Artë” të Kupës së Botës. Në vitin 2022, ai u mposht pikërisht nga Mbappe në këtë garë, pasi francezi shënoi het-trik në finalen që Franca e humbi ndaj Argjentinës.

Ndërsa Franca synon të arrijë finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës, Mbappe dhe bashkëlojtarët e tij pritet të përballen me një sfidë të veçantë ndaj Paraguajit.

Sipas “The Weather Channel”, temperaturat të shtunën pasdite pritet të kalojnë 37 gradë Celsius (mbi 100 gradë Fahrenheit). Kjo valë e pazakontë e të nxehtit mund të krijojë kushte shumë të vështira për futbollistët në fushë.

Skuadra e Didier Deschamps tashmë është përballur me ndikimin e motit në këtë Botëror, pasi ndeshja ndaj Irakut në fazën e grupeve pati vonesë për shkak të stuhisë me vetëtima.

Përballja ndaj Paraguajit, i cili eliminoi Gjermaninë pas penalltive, pritet të jetë ndeshja më e nxehtë e regjistruar deri më tani në këtë turne.

Lagështia pritet të arrijë rreth 44 për qind, duke i rënduar më tej kushtet për lojtarët. Në këto temperatura, edhe atletëve më të përgatitur zakonisht u këshillohet të shmangin aktivitetet e rënda në natyrë dhe të stërviten në ambiente të mbyllura.

Për këtë arsye, ekziston mundësia që ndeshja të shtyhet për një orar më të vonshëm dhe më të freskët, edhe pse një vendim i tillë do të ishte shumë i rrallë në historinë e Kupës së Botës.

Në vitin 2018, edhe çerekfinalja mes Anglisë dhe Suedisë u zhvillua në kushte të vështira për shkak të një vale të madhe të të nxehtit në Samara, ku temperaturat kaluan 35 gradë Celsius.

Asokohe u raportua se presioni i ujit në rajon ishte ndikuar nga i nxehti, ndërsa autoritetet lokale madje kishin bërë shaka duke sugjeruar që njerëzit të bënin dush së bashku për të kursyer ujë.

Megjithatë, ndeshja u zhvillua sipas planit dhe Anglia fitoi 2-0 falë golave me kokë nga Harry Maguire dhe Dele Alli, duke kaluar në gjysmëfinale.

Asnjë ndeshje në historinë e Kupës së Botës nuk është ndërprerë përfundimisht gjatë zhvillimit të saj, por kushtet e së shtunës e bëjnë një skenar të tillë teorikisht të mundshëm.

Megjithatë, zhvendosja e ndeshjes Francë – Paraguai duket pak e mundshme, pasi FIFA e ka vendosur këtë përballje në një orar të favorshëm për audiencën evropiane, në “prime time”, në orën 22:00 sipas kohës britanike.

Nga dy skuadrat, Paraguai mund të jetë më i prekur fizikisht, pasi në ndeshjen e kaluar ndaj Gjermanisë u detyrua të luante vazhdime dhe penallti.

Në anën tjetër, Franca kaloi më lehtë, duke fituar 3-0 ndaj Suedisë. Megjithatë, yjet kryesorë si Kylian Mbappe dhe Michael Olise nuk u zëvendësuan herët, pasi qëndruan në fushë për 85 minuta.