Mbretëria e Bashkuar po planifikon investime me vlerë miliardash në sektorin e mbrojtjes, detajet e të cilave janë zbardhur.

Ky plan i ri, që pritet të bëhet publik së shpejti, vjen pas një rishikimi të gjerë strategjik të mbrojtjes, i cili u publikua në qershor të vitit të kaluar.

Aty parashikohen miliarda dollarë shpenzime shtesë për municione, avionë luftarakë të shpejtë të gjeneratës së ardhshme, dronë dhe nëndetëse të reja sulmuese.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky do të jetë investimi më i madh i bërë ndonjëherë në dronë për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, duke kaluar shifrën prej 5 miliardë funtesh gjatë katër viteve të ardhshme.

Siç raporton BBC, ushtria do të pajiset me një sërë dronësh mbikëqyrës, zbulues dhe sulmues, në vend të shkatërruesve të rinj të Tipit 83, dorëzimi i të cilëve ishte parashikuar më parë.

Gjithashtu, do të sigurohen automjete tokësore pa pilot, të ngjashme me ato që janë përdorur me sukses në vijën e frontit në Ukrainë, si dhe avionë luftarakë autonomë, të cilët do të operojnë në koordinim me avionët me pilot.

Lideri i opozitës, Keir Starmer, ka folur gjithashtu për transformimin e luftës moderne në shekullin XXI dhe për planin e investimeve në mbrojtje.

“Plani i ri i investimeve në mbrojtje do t’u ofrojë forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar kapacitetet e avancuara të nevojshme për të penguar kërcënimet në zhvillim dhe për të garantuar sigurinë e popullit britanik,” tha Starmer.

Sipas tij, investimi i ri është thelbësor dhe do të fuqizojë forcat britanike në tokë, në det dhe në ajër.

Nga ana tjetër, ish-Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, i cili dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, kishte paralajmëruar në një letër të ashpër se niveli i shpenzimeve ushtarake të propozuara ishte dukshëm më i ulët se sa duhej për të mbrojtur Mbretërinë e Bashkuar.

Healey shprehu shqetësimin se zgjidhja financiare për forcat e armatosura ishte “e pamjaftueshme”, veçanërisht kur “presioni i operacioneve dhe nevoja thelbësore për të rritur gatishmërinë luftarake janë në kulmin e tyre gjatë dy viteve të para”.

Ky debat vijon në Britaninë e Madhe, ndërsa veprime konkrete priten në ditët në vijim.