**Brukseli riafirrmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në Samitin e 25 Nëntorit; Costa: E ardhmja e rajonit është në BE**

Më 25 nëntor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel për një samit kyç, që synon të theksojë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe dhe të riafirmojë perspektivën e anëtarësimit të rajonit në bllokun evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar me vendosmëri se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.”

Në këtë samit të rëndësishëm, Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Costa theksoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një “prioritet yni, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara.” Ai shtoi se Bashkimi Evropian “është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit.”

Takimi do të shërbejë si një mundësi për të rikonfirmuar përkushtimin e plotë të BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, udhëheqësit do të inkurajojnë partnerët rajonalë të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të përmbushin zotimet e nevojshme për të avancuar në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Udhëheqësit do të vlerësojnë përparimin e arritur në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ata do të diskutojnë gjithashtu strategjitë për të intensifikuar më tej këtë proces.

Në fund, agenda e samitit përfshin shqyrtimin e sfidave të përbashkëta dhe mënyrave për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit, përballë një panorame gjeopolitike gjithnjë e më komplekse.