Kryeministri Rama: Protestuesit e Dhunshëm Kanë Precedentë Penalë, Jo Lidhje me Universitetin
Kryeministri Edi Rama ka bërë publike inicialet, moshën dhe të dhëna mbi precedentët penalë të disa prej personave që ai i ka cilësuar si protestues të dhunshëm gjatë ditëve të fundit. Sipas Ramës, asnjë prej këtyre individëve nuk është student, por janë persona të paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja me qëllim përmbysjen e Shqipërisë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se këto imazhe dhe të dhëna, duke ruajtur konfidencialitetin ligjor, i përkasin personave të ndaluar gjatë protestave të dhunshme. Ai shtoi se ata nuk kanë asnjë lidhje me studentët e vërtetë, të cilët, sipas tij, po protestojnë në mënyrë paqësore. Kryeministri paralajmëroi se informacione shtesë do të bëhen publike në ditët në vijim.
Rama u shpreh se këta individë, përmes dhunës, kërkojnë të gjunjëzojnë qeverinë e zgjedhur dhe t’i imponojnë atij një shkelje të papranueshme të kontratës me qytetarët shqiptarë. Ai përsëriti se këta nuk janë studentë, duke premtuar se deklarata e tij do të mbështetet me fakte dhe dokumente.
**Protestuesit e ekspozuar nga Rama:**
Kryeministri dha detaje për disa prej personave të ekspozuar:
* **G.I., 57 vjeç:** I dënuar më parë për dhunë në familje dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë.
* **B.P., 41 vjeç:** Me precedentë kriminalë për prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait dhe motrës, si dhe tentativë për marrëdhënie seksuale me motrën.
* **A.B., 40 vjeç:** Me precedentë kriminalë për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme.
* **E.K.:** Me precedentë për vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengim të qarkullimit dhe dëmtime të tjera me dashje.
* **S.X., 28 vjeç:** Me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
* **E.V., 45 vjeç:** Me precedentë kriminalë për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash dhe i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit.
* **S.D., 45 vjeç:** Me precedentë kriminalë për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje.
* **XH.P., 27 vjeç:** Me precedentë kriminalë për pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
* **J.S., 20 vjeç (jo student):** Me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
* **V.A., 36 vjeç:** I dënuar me 40 muaj burgim në Britaninë e Madhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe me dy vjet e pesë muaj burgim për trafikim të qenieve njerëzore.
* **A.M., 28 vjeç:** Me precedentë kriminalë për veprat penale shkelje e rregullave të qarkullimit, dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentash.
* **A.F., 38 vjeç:** Me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe vjedhje.
Kryeministri Rama e mbylli deklaratën duke theksuar se këta individë përbëjnë “një pjesë të komponentit kriminal të një proteste që u glorifikua nga ekranet dhe individë të korruptuar”. Ai kritikoi gjithashtu figura publike që, sipas tij, “grabisin pensionet me shuma të majme të padeklaruara” ndërkohë që shprehin shqetësimin për studentët dhe pensionistët.
