**Time Kadrijaj mohon foton me kërcënuesin e Haradinajt: Pretendohet se është krijuar me inteligjencë artificiale**
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar fuqishëm ndaj një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale nga Vudi Xhymshiti, në të cilën pretendohet se ajo shfaqet në një takim me Skënder Llugiqin. Ky i fundit u arrestua ditën e djeshme nën dyshimin se ka kërcënuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook, Kadrijaj mohoi kategorikisht vërtetësinë e fotos, duke theksuar se ajo është një imazh i manipuluar, i krijuar me anë të inteligjencës artificiale.
Ajo ka paralajmëruar se do ta denoncojë rastin në organet kompetente të drejtësisë.
Në postimin e saj, deputetja shkroi: “Të nderuar qytetarë, me inteligjencë artificiale e postuar nga Vudi Xhymshiti në rrjete sociale, se gjoja unë kam takuar Skënder Llugiqin, personin që ka kërcënuar Ramush Haradinajn. Kjo nuk qëndron dhe është e pavërtetë. Personin në fjalë do ta denoncoj dhe le të merren organet e drejtësisë me të,” duke adresuar gjithashtu kritika të ashpra politike ndaj atyre që i quajti “pushtet”.
