Situatë serioze në Termokos: Drejtues i përkohshëm, bord i paplotësuar dhe me kryeshef ekzekutiv të pazgjidhur

Ndërmarrja e ngrohjes së kryeqytetit, “Termokos”, po përballet me një situatë të paprecedentë dhe shqetësuese. Që nga mesi i prillit, ndërmarrja drejtohet nga një ushtrues detyre, ndërkohë që bordi i saj mbetet i pakompletuar.

Për katër muaj, detyrën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv e ka mbajtur Raif Vitija. Kjo situatë ndodh vetëm dy muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes dimërore, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin normal të ndërmarrjes.

Përveç vështirësive të brendshme menaxheriale, “Termokos” ka vënë në rrezik edhe një fond të konsiderueshëm financiar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

Sipas informacioneve nga KfW, “Termokos” po has në probleme me 159 nënstacione të pakontrolluara, si dhe me impiantin e degazifikimit, i cili është jofunksional. Në një letër dërguar “Termokos-it”, KfW ka shprehur shqetësimin edhe për vonesat në sigurimin e tokës dhe lejeve të nevojshme.

Këto vërejtje kanë rrezikuar një ndihmë prej 87 milionë eurosh, e cila ishte parashikuar të shërbente për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Madje, KfW ka paralajmëruar se mund të ndërpresë mbështetjen financiare për ngrohtoren.

Shqetësime për situatën ka ngritur edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Murati theksoi se Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të siguruar financimin e këtij projekti, nga i cili përfitojnë drejtpërdrejt banorët e Prishtinës. Ai shtoi se pjesa më e madhe e financimit është grant, falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

Ministri Murati e konsideroi të papranueshme që projekti të rrezikohet për shkak të, siç u shpreh ai, keqmenaxhimit të ndërmarrjes “Termokos” nga ana e Komunës së Prishtinës.

Marrëveshja, e nënshkruar më 11 dhjetor 2023, parashikonte ndërtimin e një ngrohtoreje diellore. Projekti synonte kyçjen e 38 mijë qytetarëve shtesë në rrjetin e “Termokos-it”, si dhe zvogëlimin e varësisë nga qymyri.