Ehat Miftaraj i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se reagimet publike luajtën një rol kyç në dënimet e shqiptuara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve më 17 nëntor, duke theksuar se pa to, sanksionet ligjore do të kishin qenë dukshëm më të ashpra.
Miftaraj, i ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, vlerësoi se ndërhyrjet publike, duke përfshirë edhe nismën ligjore që pritet të votohet në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale, kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes ndaj kësaj çështjeje.
Ai theksoi se, po të mos kishte pasur një reagim të tillë publik, dënimet për pengim të drejtësisë do të ishin drakonike. “Këto reagime politike e kanë bërë Gjykatën më të ndjeshme ndaj opinionit publik dhe mund të kenë ndikim edhe në procesin e apelit,” u shpreh Miftaraj.
Miftaraj foli gjithashtu për mungesën e një debati serioz publik në Kosovë rreth Gjykatës Speciale gjatë gjashtë viteve të fundit. Ai theksoi se iniciativa për krijimin e një komisioni dhe një ligji të ri ka sjellë në vëmendje këtë çështje, duke nxitur reagime edhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.
“Për gjashtë vjet nuk është folur për Gjykatën Speciale, ndërsa jemi fokusuar në çështje të tjera. Ngritja e këtij debati, falë nismës së komisionit dhe ligjit, tregon seriozitetin me të cilin po trajtohet tashmë kjo çështje,” përfundoi Miftaraj.
