Mijëra njerëz janë evakuuar nga ishulli grek i Kretës, ndërsa zjarret masive pyjore, të nxitura nga erërat e forta, vazhdojnë të kërcënojnë vendpushimet turistike dhe fshatrat.

Rreth 8,000 banorë u evakuuan gjatë natës në Rethymno, ku shpejtësia e erës ka arritur deri në 125 kilometra në orë, shkruan BBC.

Këto evakuime vijnë pas vdekjes së dy zjarrfikësve në ishull të mërkurën, të cilët mbetën të bllokuar pranë Krya Vrysi. Një zjarrfikës i tretë humbi jetën pranë qytetit-port të Gytheios në Peloponez.

Greqia është një ndër vendet e shumta evropiane që po përballen me zjarre shkatërruese dhe thatësira, ndërsa kontinenti po regjistron temperatura jashtëzakonisht të larta.

Parashikuesit e motit paralajmërojnë se kushtet favorizuese për përhapjen e zjarreve do të shtrihen drejt qendrës së Evropës këtë javë, me Greqinë dhe Turqinë ndër vendet më të prekura.

Zjarri që aktualisht po përhapet në Rethymno, në perëndim të Kretës, shpërtheu të mërkurën dhe dyshohet se ka shkatërruar tashmë disa shtëpi dhe sipërfaqe të mëdha bujqësore.

Ky është një nga zjarret më të mëdha aktualisht aktive në ishull, me një front që shtrihet në më shumë se 15 kilometra dhe vazhdon të digjet jashtë kontrollit.

Ende nuk ka një pasqyrë të qartë të shkatërrimeve, deklaroi zëvendësguvernatorja rajonale e Rethymnos, Maria Lioni, duke shtuar se zjarri mbetet aktiv dhe se vënia e tij nën kontroll është përparësia kryesore.

Lioni e përshkroi të mërkurën si një “ditë të errët” për rajonin, duke theksuar se gjatë natës fuqia e erës arriti deri në 11 ballë sipas shkallës Beaufort – një forcë ere e kategorizuar si “e dhunshme”.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për shuarjen e zjarreve, erërat e forta vazhdojnë t’i ushqejnë flakët dhe të pengojnë operacionet e shuarjes, ndërsa mediat lokale raportojnë se avionët zjarrfikës nuk kanë mundur të operojnë të enjten në mëngjes.

Disa prej të evakuuarve në Rethymno janë zhvendosur në një strehimore të përkohshme në një bashki fqinje, tha Lioni, duke shtuar se janë marrë masa edhe për akomodimin e turistëve.