**Berat: Arrestohet 38-vjeçari për kultivim të bimëve narkotike**
Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 38-vjeçar në fshatin Zgërbonjë të Beratit, i cili dyshohet se kultivonte bimë narkotike.
Arrestimi i tij u bë pasi forcat policore gjetën 107 bimë narkotike dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar Cannabis sativa.
“Nga veprimet hetimore të kryera me metoda proaktive, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve narkotike,” njofton policia. “Kontrollet kundër kultivimit të kanabisit vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Berat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në këtë fushë.”
Çështja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
