**Operacion policor në Lezhë: Dy të arrestuar për vjedhje**
Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona, të dyshuar për disa raste vjedhjesh të ndodhura në qytet, pas një operacioni të detajuar hetimor.
Njëri prej të arrestuarve është 26-vjeçari Elger Uka nga Lezha, i cili ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se gjatë korrikut të vitit të kaluar ka vjedhur të ardhurat ditore në 9 biznese të ndryshme në qytet.
Personi tjetër i arrestuar është Aurel Pjetri, 39 vjeç, po ashtu banues në Lezhë. Ai u kap në flagrancë, i dyshuar për vjedhjen e një iPad-i dhe një çante me sende personale nga një automjet i parkuar.
Sipas Policisë, gjatë arrestimit Pjetrit iu gjet iPad-i i vjedhur, të cilin dyshohet se sapo e kishte tërhequr pas riparimit në një dyqan në Shkodër. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestrua edhe çanta e vjedhur.
Policia bëri me dije se hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të të dyshuarve dhe për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve. Materialet në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, për procedurat e mëtejshme ligjore.
