Mijëra banorë në Spanjë po kthehen në shtëpitë e tyre pas evakuimeve të detyruara nga zjarret shkatërruese. Megjithatë, një valë e re e të nxehtit ekstrem rrit frikën për riaktivizimin e flakëve dhe shfaqjen e vatrave të reja. Autoritetet spanjolle kanë lejuar kthimin e mijëra personave në zonat e Toledos, Madridit, Ávilës dhe Castellónit, pasi kufizimet janë hequr.

Vetëm në rajonin e Madridit, rreth 24,000 banorë janë lejuar të kthehen, ndërsa kufizimet janë hequr edhe për rreth 20,000 persona të tjerë në zona të ndryshme.

Ndërkohë, Spanja dhe Franca po përgatiten për valën e katërt të të nxehtit këtë verë. Kjo situatë alarmante rrit ndjeshëm rrezikun, pasi disa zjarre vazhdojnë të jenë aktive, si ai pranë Burgohondo, rreth 150 kilometra në perëndim të Madridit.

Në jugperëndim të Francës, zjarret masive në rajonin Gironde mbeten të “stabilizuara”, megjithatë autoritetet paralajmërojnë për erëra të thata dhe temperatura që mund të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, duke shtuar pasigurinë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka deklaruar se 12 orët e ardhshme do të jenë “vendimtare” për shuarjen e zjarrit afër kryeqytetit. Ai theksoi se megjithëse situata po përmirësohet, kërkohet kujdes maksimal për shkak të kombinimit të temperaturave të larta, lagështisë së ulët dhe erërave të forta.

Një zjarr tjetër vazhdon të jetë jashtë kontrollit në Vall d’Uixó, në veriperëndim të Valencias.

Zjarri në Burgohondo, në provincën Ávila, ka shkatërruar mbi 43,000 hektarë tokë, duke u shndërruar në zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në historinë e Spanjës. Kjo vatër ka detyruar rreth 40,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ekipet zjarrfikëse shprehin shqetësim serioz se temperaturat e larta mund të shkaktojnë riaktivizimin e flakëve dhe po punojnë intensivisht për të stabilizuar një perimetër prej 180 kilometrash.

Ndërsa në zjarret rreth Madridit dhe Castellónit nuk janë raportuar viktima, në jug të Spanjës, në Los Gallardos të Almerías, një grua humbi jetën në spital nga plagët e marra. Në total, nga zjarret në këtë zonë janë regjistruar 14 viktima.

Zjarre janë raportuar gjithashtu në Portugali, në rajonin Vila Real, si dhe në Greqi, konkretisht në ishullin Paros dhe në qytetin Trifylia në jug, sipas raportimeve të BBC-së.