MASHTI lidh kontratë prej 103 mijë eurosh për abetaret e diasporës, përmes negocimit pa publikim
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nënshkruar një kontratë me shtëpinë botuese “Dukagjini”, me vlerë 103 mijë euro, për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e diasporës. Kjo kontratë, e cila ka të bëjë me abetaret dhe tekstet e niveleve të para (I), të dyta (II) dhe të treta (III) së bashku me fletore pune, është lidhur për vitin shkollor 2026/2027.
Për këtë furnizim ishte parashikuar fillimisht një fond prej 120 mijë eurosh, ndërsa kontrata u finalizua për 103 mijë euro.
Megjithatë, ajo që ngjall pyetje është mënyra e zhvillimit të kësaj procedure. Kontrata është nënshkruar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, një metodë prokurimi e lejuar ligjërisht vetëm në rrethana specifike dhe të përcaktuara me ligj.
Sipas dokumenteve të publikuara në platformën e prokurimit publik, MASHTI ka zgjedhur pikërisht këtë procedurë për të siguruar tekstet e destinuara për nxënësit që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe jashtë vendit.
