Xhudisti kosovar, Milot Gashi, ka fituar medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë, e cila po mbahet në Selanik të Greqisë, duke shënuar një tjetër sukses për xhudon e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gashi garoi në kategorinë deri në 66 kilogramë, ku zhvilloi disa ndeshje mjaft të suksesshme. Në xhiron e parë, ai mposhti me Ippon garuesin vendas Nikolaos Tosounidis, ndërsa në përballjen e dytë triumfoi po ashtu me Ippon ndaj italianit Francesco Robert Di Benedetto, transmeton IndeksOnline.
Serinë e fitoreve e vazhdoi edhe në xhiron e tretë, duke mposhtur me Ippon Ariel Yehuda Cohen.
Në çerekfinale, xhudisti kosovar u ndal nga moldavi Vladislav Moga, por vazhdoi garën përmes repasazhit. Aty, Gashi arriti një tjetër fitore me Ippon ndaj grekut Anastasios Kiourtzidis, duke siguruar mundësinë për të luftuar për medaljen e bronztë.
Në duelin vendimtar për podium, Milot Gashi u përball me serbin Luka Dangubiq, të cilin e mposhti me Yuko, duke siguruar kështu medaljen e bronztë në këtë garë evropiane.
Në këtë sukses të xhudistit kosovar, rol të rëndësishëm patën edhe trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi, të cilët e udhëhoqën gjatë garës.
