Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, priti sot në një takim pune kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, si dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes sindikale, përfshirë nënkryetaren Vjollca Shala dhe sekretarin e përgjithshëm Ymer Ymeri.

Në fillim të takimit, drejtuesit e SBAShK-ut uruan ministrin Çeku për riemërimin në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive dhe objektivave të detyrës.

Pika qendrore e diskutimit ishte bashkëpunimi dhe përfshirja e SBAShK-ut në procesin e hartimit të Strategjisë së re të Arsimit 2035+. Ky dokument kyç do të përcaktojë orientimet dhe prioritetet për zhvillimin e arsimit në dekadën e ardhshme. Ministri Çeku falënderoi sindikatën për mbështetjen dhe kontributin aktiv në takimet e grupeve të punës.

Një tjetër temë e rëndësishme ishin reflektimet mbi rezultatet e ulëta të nxënësve në testin PISA dhe nevoja për një angazhim të përbashkët në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.

Palët u dakorduan gjithashtu për nisjen e një cikli takimesh me mësimdhënës dhe përfaqësues sindikalë në të gjitha rajonet e vendit. Këto takime do të shërbejnë për të diskutuar drejtpërdrejt çështjet thelbësore në arsim, planet e ministrisë, shtyllat e Strategjisë së re të Arsimit, si dhe nevojat e mësuesve, nxënësve dhe shkollave.