Ministrja Fitore Pacolli paralajmëron masa ndaj kompanisë zbatuese në Podujevë
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka vizituar sot punimet në Projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë.
Gjatë vizitës, Pacolli shprehu shqetësimin e saj lidhur me vonesat dhe ngecjet në realizimin e projektit. Për këtë çështje, ajo zhvilloi një takim me përgjegjësin e kompanisë kontraktore.
Ministrja theksoi se projektet duhet të përfundohen brenda afateve të përcaktuara me kontratë dhe paralajmëroi aplikimin e masave ndaj kompanive që nuk i përmbushin detyrimet e tyre.
“Sot vizituam punimet në Projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë, ku ngrita shqetësimin për vonesat dhe ngecjet në realizimin e projektit, në takim me përgjegjësin e kompanisë kontraktore,” deklaroi Pacolli.
Ajo shtoi se do të ketë tolerancë zero ndaj kompanive të papërgjegjshme: “Projektet duhet të realizohen brenda afateve të përcaktuara me kontratë. Për kompanitë që nuk i përmbushin obligimet dhe afatet do të shqiptohen gjoba. Do të jemi të pakompromis me kompanitë e papërgjegjshme.”
