Italia është përfshirë nga mot i keq, sidomos në rajonet veriore, duke shkaktuar anulime fluturimesh në aeroportin e Malpensës dhe stuhi të fuqishme në veri e Toskanë.
Në Lombardi, zjarrfikësit kanë kryer mbi 190 ndërhyrje, kryesisht për shkak të pemëve të rrëzuara, përmbytjeve dhe dëmtimit të çative. Që prej mbrëmjes së 24 gushtit, ekipet janë angazhuar në disa zona të Lombardisë. Provinca e Varese-s rezulton më e prekur, me mbi 100 ndërhyrje, e ndjekur nga Como me rreth 35 dhe Milano me rreth 30.
Pemë të rrëzuara kanë bllokuar rrugë, kanë dëmtuar makina, banesa dhe rrjetin elektrik. Për shkak të numrit të lartë të thirrjeve për ndihmë në Varese, pesë ekipe shtesë nga komanda të tjera të rajonit janë dërguar si përforcim.
Moti i keq ka shkaktuar probleme serioze edhe në aeroportin e Malpensës. Pistat dhe disa zona të terminalit u mbuluan nga uji, megjithëse situata më pas u normalizua. Gjatë mbrëmjes së 24 gushtit, disa fluturime në mbërritje dhe nisje u anuluan.
Gjatë natës, një front i fuqishëm stuhish goditi brigjet e Toskanës dhe më pas u zhvendos shpejt drejt zonave të brendshme. Më të prekura ishin zonat bregdetare, nga Versilia në Piza, Livorno dhe Masa, por stuhia goditi edhe brendësinë e Firences dhe më në jug, drejt Grosetos.
Në Versilia u regjistrua një stuhi e fuqishme me shkarkesa rrufesh, e shoqëruar me erëra të forta dhe disa përmbytje të izoluara në rrugë.
Probleme raportohen edhe në zona të ndryshme të Alto Adige-s. Në Val Casies, disa banesa, bodrume dhe garazhe janë përmbytur, ndërsa janë regjistruar ndërprerje të rrjetit elektrik dhe rrëshqitje balte. Në Val Pasiria, ekipet e zjarrfikësve gjithashtu janë në gatishmëri. Në San Martino, brenda vetëm 30 minutash ranë 53 milimetra shi për metër katror.
