Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka dhënë detaje mbi pasojat e stuhisë së fortë që goditi vendin, duke theksuar se 117 automjete dhe objekte të disa ministrive janë dëmtuar, ndërsa 10 persona kanë pësuar lëndime.
Sipas MPB-së, zyrtarët policorë janë vazhdimisht në terren dhe po veprojnë sipas të gjitha raporteve që lidhen me dëmet e shkaktuara, në koordinim me institucionet e tjera kompetente. Aktivitetet po zhvillohen për të siguruar sigurinë publike, pastrimin e dëmeve dhe normalizimin e trafikut e funksioneve publike.
Dëmet më të mëdha u regjistruan në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup. Deri dje në orën 22:00, ishin regjistruar: 117 automjete pasagjerësh të dëmtuara, 35 çati të shkatërruara, 189 pemë të rrëzuara, 7 semaforë të dëmtuar, 5 zjarre dhe 10 persona të lënduar.
Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike. Dëme janë raportuar në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vili Vodno”, Bazën Policore të Aeroportit Petrovec, ndërtesën “Nova Makedonija”, si dhe ato të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Në qytete të tjera, situata paraqitet si vijon:
* Në Kumanovë, u raportuan 9 automjete dhe 3 çati të dëmtuara.
* Në rajonin e SPB Tetovë, 5 raste përfshinin 3 automjete dhe 2 struktura çatie të dëmtuara.
* Në Gostivar nuk u raportuan dëme apo persona të lënduar.
* Në rajonin e SPB Veles, 2 automjete u dëmtuan për shkak të rënies së pemëve.
* Në Shtip u regjistruan 14 makina dhe 6 çati të dëmtuara.
