Murg budist i rangut të lartë arrestohet në Sri Lanka, dyshohet për përdhunim

Një murg budist i rangut të lartë në Sri Lanka është arrestuar dhe dërguar në paraburgim, i dyshuar për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj një vajze 15-vjeçare. Lajmi është raportuar nga BBC.

Pallegama Hemarathana Thero zë një nga pozicionet më të nderuara në botën budiste, atë të prelatit kryesor ose kujdestarit të tetë vendeve të shenjta në Sri Lanka.

Arrestimi i tij erdhi pas një kërkese nga autoriteti kombëtar i mbrojtjes së fëmijëve, i cili më herët kishte kritikuar policinë për mosveprim, pavarësisht se emri i murgut ishte përmendur si i dyshuar në këtë çështje.

Pallegama Hemarathana nuk ka bërë asnjë koment publik lidhur me akuzat. Ai pritet të paraqitet në gjykatë më 12 maj.

Gjithashtu, nëna e viktimës së dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, e akuzuar për bashkëpunim dhe nxitje të abuzimit.

Murgu Hemarathana po merrte trajtim në një spital privat në Kolombo kur u arrestua të shtunën. Megjithatë, magjistrati urdhëroi transferimin e tij në spitalin e burgut të Kolombos.

Magjistrati lëshoi gjithashtu një urdhër për autoritetet e imigracionit, për të siguruar që Pallegama Hemarathana të mos tentojë të largohet nga vendi.

Arrestimi i një murgu budist, sidomos i një figure të rangut kaq të lartë, është një ngjarje e pazakontë në Sri Lanka, ku klerikët gëzojnë ndikim të madh politik dhe respektohen thellësisht nga shoqëria.