**Musliu: Kurtit i konvenon një president “kukull” dhe pa fuqi politike**

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me qëndrimet e tij për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Gjatë një interviste në emisionin “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, Musliu theksoi se Kurti dëshiron një president me rol të kufizuar politik dhe pa ndikim real në vendimmarrje.

“Albin Kurtit i konvenon të ketë një president ‘kukull’, i cili thjesht ulet në karrigen presidenciale, por pa fuqi politike dhe pa fuqi vendimmarrëse. Ai këtë e proklamon si vazhdimësi,” deklaroi Musliu.

Ajo përmendi edhe marrëdhëniet e Kurtit me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se përplasjet mes tyre, sipas saj, kanë ardhur pikërisht si pasojë e dallimeve lidhur me rolin e kreut të shtetit.

Musliu theksoi se presidenti i Kosovës, duke pasur parasysh sistemin politik parlamentar të vendit, duhet të jetë një figurë politike e rëndësishme, me njohuri të thella për politikat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të zotërojë kompetencë, autoritet dhe besueshmëri.

“Presidenti duhet të jetë i përgjegjshëm, kompetent, përfaqësues dhe autoritativ. Kjo nuk i konvenon zotit Kurti,” u shpreh deputetja e PDK-së.

Sipas Musliut, Kurti dëshiron një figurë pa peshë të madhe politike në postin e presidentit.

“Kurti dëshiron të ketë një marionetë, ashtu siç ka aktualisht Albulena Haxhiun si ushtruese detyre, dhe kjo për t’i kryer punët e veta,” ka deklaruar Musliu.