Presidentja Osmani nderon kujtimin e Dr. Adem Ademit: Kontributi i tij, pjesë e historisë së Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar kujtimin e Dr. Adem Ademit, i cili u përcoll për në banesën e fundit më 28 nëntor në Mitrovicë.
Nëpërmjet një postimi, Presidentja Osmani kujtoi jetën dhe veprën e mjekut të ndjerë, duke theksuar kontributin e tij të çmuar në shërbim të qytetarëve, humanizmit dhe çështjes kombëtare.
Ajo bëri të ditur se, së bashku me Ukën, Shkëmbin, Xhaferin dhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, nderuan figurën e Dr. Ademit, i cili gjatë jetës së tij u shërbeu mijëra njerëzve.
Osmani kujtoi se Dr. Ademi ishte pranë studentëve të helmuar gjatë viteve ’90, si dhe pranë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke ofruar ndihmën e tij mjekësore në ditët më të vështira.
Ajo theksoi se kontributi i tij në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në rrugën e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova, do të mbetet pjesë e historisë dhe kujtesës kolektive të vendit.
“Njerëzit që jetojnë për të tjerët nuk harrohen kurrë”, shkroi Osmani, duke e përmbyllur mesazhin e saj me fjalët: “U prehsh në paqe, Dr. Adem Ademi!”.
