Bosnja dëbon katër diplomatë iranianë, dyshohen për spiunazh

Katër diplomatë të Ambasadës së Iranit në Bosnjë dhe Hercegovinë janë shpallur “persona non grata” dhe janë larguar nga vendi, sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë (REL).

Diplomatët e larguar identifikohen si Hossein Mahdian-Fard, Ehsan Sajjadi Monnazzeh, Morteza Fazali dhe Seyed Yaser Seyed Mohammadi. Ata janë larguar nga Bosnja dhe Hercegovina në nëntor 2026 dhe dyshohen për përfshirje në aktivitete inteligjence në favor të Teheranit.

Në listën diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës për muajin nëntor, Hossein Mahdian Fard figuron si këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit, ndërsa Ehsan Sajjadi Monazzah dhe Morteza Fazali janë regjistruar si atashe. Seyed Yaser Seyed Mohammadi nuk gjendet në listat diplomatike nga tetori 2025 deri në nëntor 2026.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, kompetente për vendimet lidhur me dëbimin e personelit diplomatik, i tha REL-it se nuk mund të komentojë për rastin, pasi “bëhet fjalë për çështje sigurie, dhe jo diplomatike”. Arsyet zyrtare për të cilat katër diplomatët u detyruan të largoheshin nga Bosnja dhe Hercegovina nuk janë bërë ende publike.

REL-i kërkoi koment nga zëvendësministri i Sigurisë i Bosnjës dhe Hercegovinës, Ivica Boshnjak, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli. Pyetje i është drejtuar edhe ambasadorit të Iranit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Abuzar Ebrahimit Torkamanu, i cili gjithashtu nuk është përgjigjur.

**Raste të mëparshme dëbimesh: Instituti “Ibn Sina”**

Më herët, gjatë shtatorit ose tetorit, Mohammad Hossein Abbasi Valadi dhe Jafar Azimzadeh, ish-drejtues të Institutit Shkencor-Kërkimor iranian “Ibn Sina” në Sarajevë, u shpallën kërcënim për sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, sipas REL-it. Ata nuk gëzonin status diplomatik në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Vendimi u mor nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila njoftoi Shërbimin për Çështjet e të Huajve të shtetit. Në kohën kur u mor vendimi, të dy ndodheshin jashtë Bosnjës. Arsyet për të cilat u cilësuan si kërcënim për sigurinë e shtetit mbeten të panjohura.

Instituti “Ibn Sina” nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it lidhur me Abbasi dhe Azimzadeh deri në publikimin e këtij artikulli. Instituti Shkencor-Kërkimor “Ibn Sina” u themelua në Sarajevë në vitin 1996 si organizatë joqeveritare, me synim “zhvillimin e bashkëpunimit shkencor, kërkimor dhe kulturor ndërmjet Iranit dhe vendeve të Ballkanit, veçanërisht Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në faqen e tij të internetit.

**Dëbime të tjera diplomatësh iranianë në të kaluarën**

Bosnja dhe Hercegovina ka shpallur edhe më parë diplomatë iranianë si “persona non grata”. Në maj të vitit 2013, Hamzeh Doolab Ahmad dhe Jadidi Sohrab u larguan nga Bosnja pasi ishin shpallur persona të padëshiruar.

Në prill të vitit 2013, ministri i atëhershëm i Sigurisë, Fahrudin Radonçiq, njoftoi se do të kërkonte largimin e dy diplomatëve të Ambasadës iraniane në Sarajevë, duke deklaruar se ata nuk respektonin rregullat diplomatike. Në njoftim thuhej se vendimi ishte marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, me propozim të Ministrisë së Sigurisë. Si arsye u përmend se diplomatët kishin përdorur statusin e tyre për aktivitete që nuk ishin në përputhje me detyrat e misionit diplomatik dhe me nenin 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Radonçiq kishte deklaruar më parë se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA) kishte evidentuar aktivitete të palejuara të dy diplomatëve. Arsyet e sakta për shpalljen e tyre “persona non grata” nuk u bënë publike.

**Lidhjet historike dhe prania kulturore e Iranit në Bosnjë**

Irani ka qenë një prej aleatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë luftës së viteve 1992-1995, duke i ofruar Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës ndihmë financiare, humanitare dhe ushtarake, përfshirë dërgesa armësh. Pas luftës dhe nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhjet politike dhe të sigurisë të Sarajevës me Teheranin u zbehën, ndërsa bashkëpunimi ka vijuar kryesisht nëpërmjet qendrave kulturore dhe institucioneve shkencore.

Prania publike e diplomatëve iranianë në Bosnjë lidhet kryesisht me programet kulturore dhe arsimore të organizuara nga Qendra Kulturore e Ambasadës së Iranit, e hapur në vitin 1994. Qendra organizon ekspozita, promovime librash, ligjërata, programe filmash dhe kurse të gjuhës perse, shpesh në bashkëpunim me institucionet vendore. Përfaqësues të Ambasadës së Iranit marrin pjesë gjithashtu në pritjet zyrtare dhe ngjarjet publike në Sarajevë.

Në Bosnjë vepron edhe përfaqësia e shërbimit mediatik shtetëror iranian IRIB, televizioni “Sahar Balkan” i të cilit prodhon përmbajtje në gjuhën boshnjake që nga viti 1995. REL-i ka hulumtuar më parë se si ky medium përpiqet të shpërndajë narrativat e autoriteteve iraniane në redaksitë vendore, duke përfshirë dërgimin e njoftimeve dhe videove për ngjarjet politike në Iran.

**Korniza ligjore për dëbimin e diplomatëve në Bosnjë**

Një rregullore e miratuar nga Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2004 parashikon mundësinë e shpalljes së diplomatëve të huaj “persona non grata” në rast shkeljesh të rënda të rregullave të shtetit pritës ose të sjelljeve që nuk janë në përputhje me funksionet e misionit diplomatik. Ndër arsyet e specifikuara në rregullore përmenden ndërhyrja në punët e brendshme të Bosnjës dhe aktivitetet e inteligjencës, përfshirë spiunazhin.

Nisma për shpalljen e një diplomati “persona non grata” mund të ndërmerret edhe nga Ministria e Sigurisë e Bosnjës, e cila ia përcjell propozimin institucioneve përkatëse. Vendimi për shpalljen e shefave të misioneve diplomatike merret nga Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës, me propozim të arsyetuar të ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa për anëtarët e tjerë të personelit diplomatik vendos ministri i Punëve të Jashtme i shtetit.