Dëmtimi i dyshuar në bërryl, arsyeja e dorëzimit të Nelson Hysës ndaj Kabayelit
Një dëmtim i dyshuar në bërryl besohet të jetë arsyeja kryesore pse boksieri shqiptar Nelson Hysa u dorëzua ndaj Agit Kabayelit, në përballjen për titullin botëror të peshave të rënda. Pamjet nga ringu dhe raportimet e mediave hedhin dritë mbi këtë problem.
Boksieri shqiptar e pa sfidën e tij në Dyseldorf të përfundonte para kohe, pasi stafi i tij hodhi peshqirin e bardhë në ring në raundin e dytë, duke sinjalizuar dorëzimin.
Mediumi britanik “The Sun” raporton se Hysa dukej se vuante nga dhimbjet dhe në një moment nisi të godiste vetëm me dorën e djathtë, pas një dëmtimi të dyshuar në bërryl. Ky detaj mbështet vendimin e stafit të tij për të ndërprerë përballjen.
Dy fotografi të realizuara pas ndërprerjes së ndeshjes ofrojnë një detaj tjetër domethënës: Hysa shihet duke u ekzaminuar nga mjekët, të cilët i prekin krahun pranë bërrylit, ndërsa fytyra e boksierit shpreh qartë dhimbje.
Këto pamje përputhen me raportimet për një problem të mundshëm në bërryl. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë konfirmim zyrtar mjekësor mbi natyrën dhe shkallën e dëmtimit.
Hysa hyri në këtë përballje me një bilanc perfekt prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave me nokaut. Megjithatë, ai nuk arriti ta shfrytëzonte këtë mundësi për t’u shpallur kampion botëror.
Ndërkohë, Agit Kabayel shënoi fitoren e 28-të në karrierën e tij profesioniste dhe mbrojti me sukses titullin botëror të WBC-së.
