Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka parandaluar një vrasje të rëndë në kryeqytet. Pas një operacioni hetimor të zhvilluar, janë ndaluar tre persona të dyshuar për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.

Operacioni u zhvillua nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas dyshimeve për përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.

Më 28 nëntor, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, u ndaluan dy persona për 48 orë. Ata dyshohen për “Përgatitjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, sipas neneve 173, 27 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të këtij kodi.

Në kuadër të këtij operacioni, u realizuan kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të të dyshuarve, sigurimit të provave materiale dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkaq, më 29 nëntor, me urdhër të prokurorit kujdestar, u ndalua edhe një person i tretë për 48 orë. Edhe ky person dyshohet për përgatitjen e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan armë dhe municion. Këtu përfshihen një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë, të gjetura në automjetin e dyshuar, si dhe një armë e shkurtër e llojit TT me shtatë fishekë, e zbuluar në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar.

Prokuroria ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, parandalimin e veprave të rënda penale, si dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati.