**Musliu-Shoshi: Rendi Kushtetues i Kosovës, Seriozisht i Rrezikuar**

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se rendi kushtetues i Kosovës është seriozisht i rrezikuar. Kjo deklaratë erdhi pas kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Ajo theksoi se Kosova ka paguar gjithmonë një çmim të lartë dhe se sakrifica për shtetin nuk ka përfunduar.

“E di që populli ka kaluar shumë sakrifica, por Kosova ka paguar çmimin e saj deri sot. Dje ishim në fushën e betejës, sot para Gjykatës së Hagës. Sakrifica për këtë shtet nuk ka përfunduar,” tha ajo.

Musliu-Shoshi shtoi se pikërisht për këtë, kemi detyrimin ta mbrojmë Kosovën, kushtetutën dhe demokracinë me çdo mjet demokratik.

“Historia na ka mësuar se demokracia nuk rrënohet brenda një dite, por ajo zbehet kur pushteti fillon të besojë se është mbi ligjin. Fatkeqësisht, Kosova sot ndodhet pikërisht në këtë pikë,” theksoi deputetja.

Sipas saj, kjo nuk është çështje nëse je pro apo kundër Albin Kurtit, as për përplasjen ndërmjet pozitës dhe opozitës. “Por secili prej nesh sot ka vetëm një pyetje: A do të jetë Kosova një shtet ku sundon kushtetuta, apo një shtet ku sundon pushteti i një lideri?”

Ajo vazhdoi: “Gjykata Kushtetuese ka folur, kushtetuta ka folur, por deputeti Albin Kurti ka zgjedhur t’i injorojë të dyja. Kur dikush vendos veten mbi kushtetutën, ai nuk punon më për shtetin, por për interesat e tij personale.”

Musliu-Shoshi paralajmëroi se sot nuk kemi vetëm një vendim të shkelur, por rendin kushtetues seriozisht të rrezikuar.

“Ndërkohë që qytetarët tanë përballen me çmime të larta, me ikje të rinisë dhe me pasiguri për të ardhmen, deputeti Albin Kurti merret vetëm me një gjë: si ta ruajë pushtetin dhe privilegjet që ai ofron.”

“Kjo nuk është udhëheqësi, por frikë nga humbja e pushtetit. Ne si PDK nuk do ta pranojmë kurrë këtë logjikë,” deklaroi ajo.

Deputetja theksoi rëndësinë e institucioneve, duke shtuar: “Pasi pushteti është i përkohshëm, ndërsa Republika e Kosovës është e përhershme. Qeveritë dhe pushtetarët vijnë e shkojnë, por kushtetuta mbetet.”

“Prandaj, sot nuk po mbrojmë vetëm një nen të Kushtetutës, por Republikën, demokracinë dhe të drejtën e çdo qytetari për të jetuar në një shtet ku ligji është mbi të gjithë dhe vlen për të gjithë”, përfundoi Musliu-Shoshi.