Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të reflektojnë zhvillimet e paqëndrueshme në tregjet ndërkombëtare të naftës, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë në furnizimin dhe transportin global të naftës.
Eksperti i sektorit të naftës, Fadil Berjani, ka deklaruar për IndeksOnline se çmimet aktuale në tregun kosovar sillen përafërsisht në 1.95 euro për litër për dizelin dhe 1.65 euro për litër për benzinën.
“Çmimet e naftës dhe benzinës sot sillen përafërsisht: dizelli 1.95 euro, benzina 1.65 euro. S’mundemi me paragjyku se çfarë çmime do t’i kemi në ditët në vijim, sepse po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursë, dhe situata e tensionuar në Iran po reflekton në këto çmime”, ka thënë Berjani.
Dy javë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaloi së përcaktuari çmimin maksimal për derivatet e naftës, duke i hapur rrugë rikthimit të çmimeve të tregut në pikat e shitjes në Kosovë.
Berjani e ka vlerësuar si të qëlluar këtë vendim, duke argumentuar se kjo i jep tregut hapësirë për të ofruar çmime më të favorshme për konsumatorët.
“Heqja e marzhës së fitimit është vendim i qëlluar. Tregu ofron çmim më të favorshëm për qytetarët tanë”, ka deklaruar Berjani.
Dy javë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaloi së përcaktuari çmimin maksimal për derivatet e naftës, duke i hapur rrugë rikthimit të çmimeve të tregut në pikat e shitjes në Kosovë.
Sipas ministres së MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, gjatë periudhës së rregullimit të çmimeve, operatorët ekonomikë nuk kanë realizuar domosdoshmërisht fitime të larta, pasi në periudha të caktuara kanë operuar me marzha minimale, madje edhe pa fitim.
Me përfundimin e kësaj mase, çmimi i derivateve përcaktohet tashmë nga vet tregu.
Kështu, kompanitë tani kanë mundësi t’i përshtatin çmimet në bazë të kostos së importit, sasisë së derivateve të importuara dhe marzhës që përcaktojnë për shitje.
Kujtojmë se pasiguria në tregun global është shtuar ndjeshëm nga zhvillimet në konfliktin SHBA-Iran dhe kufizimet në qarkullimin e naftës përmes rrugëve kryesore të transportit.
Reuters, më 18 shtator Brent-i u mbyll në 104.87 dollarë për fuçi, ndërsa WTI në 100.30 dollarë, megjithëse çmimet ranë gjatë asaj dite pas sinjaleve diplomatike për uljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike saudite./IndeksOnline/
