Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar si ceremoni me peshë të veçantë shtetërore kalimin e detyrës nga Vjosa Osmani te Albulena Haxhiu. Kjo e fundit do të mbajë detyrën e presidentes në ushtrim, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Nagavci theksoi se kalimi i detyrës nga një grua te një tjetër dëshmon pjekurinë demokratike të Kosovës, ndërsa Osmanin dhe Haxhiun i cilësoi si “dy figura të rëndësishme të institucioneve”.
Në shkrimin e saj, Nagavci e përshkroi ngjarjen si “një moment që flet më shumë se mijëra fjalë”. Ajo përsëriti se kjo vazhdimësi e udhëheqjes nga gratë, mes dy figurave të institucioneve, tregon pjekurinë demokratike të shtetit. Sipas saj, ky proces reflekton rrugën e gjatë të shoqërisë kosovare, duke kaluar nga një realitet i vështirë në një shtet ku gratë jo vetëm marrin pjesë, por edhe udhëheqin. “Kosova sot dëshmon se ndryshimi është i mundur dhe se përkushtimi, sakrifica dhe besimi në vlera demokratike ndërtojnë institucione të qëndrueshme,” citoi ajo.
Nagavci theksoi gjithashtu rëndësinë e institucioneve funksionale dhe respektimin e procedurave kushtetuese, përfshirë zgjedhjen e presidentit, si themel i stabilitetit dhe besimit qytetar në shtet.
Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti nuk pati një reagim publik për përfundimin e mandatit të Osmanit. Megjithatë, figura të tjera të Vetëvendosjes shprehën urime dhe lavdërime për Haxhiun.
