Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka propozuar Xhavit Halitin si një figurë të mundshme bashkuese për postin e Presidentit të Kosovës.
Hasani theksoi se Kosova ka nevojë aktuale për një kandidat bashkues në këtë pozicion të rëndësishëm. Ai shtoi se anëtari i partisë së tij, Xhavit Haliti, mund të jetë një prej figurave të tilla, pasi sipas tij, do të siguronte edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një deklaratë për Klan Kosova, Hasani u shpreh: “Mendoj se nga ata që mund t’i përballojnë sfidat dhe të jenë bashkues, është Xhavit Haliti. Besoj se mund të marrë edhe votat e Vetëvendosjes, sepse ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe deputet. Ai nuk ka histori konfliktesh apo ndërlikimesh me subjektet e tjera. E shoh si një figurë politike të angazhuar që herët.”
Hasani sqaroi gjithashtu se ky është propozimi i tij personal, dhe jo qëndrim zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
