Napoli në krizë: Allegri në shënjestër të akuzave, e ardhmja në rrezik
Nëse në drejtimin e Napolit do të ishte ndonjë trajner tjetër përveç Massimiliano Allegrit, ndoshta do të ishte shkarkuar tashmë. Shifrat e skuadrës napolitane në këtë fazë të sezonit janë alarmante: 5 humbje në 9 ndeshje dhe vetëm 3 fitore.
Është krijuar përshtypja e një skuadre pa motivim, pa uri për suksese dhe që ka prekur fundin e saj. Humbja ndaj Venezias, sidomos për mënyrën si ajo erdhi, ka ndezur sirenat e alarmit. Brenda pak ditësh, Massimiliano Allegri do të luajë të ardhmen e tij. Së pari është ndeshja me Bodo/Glimt dhe më pas ajo me Romën; dy angazhime kyçe që do të jenë vendimtare.
Allegri kërkon qetësi, por kjo është e vështirë; tifozët e Napolit janë tërbuar. Situata vështirësohet akoma më shumë kur edhe lojtarë kyç, të rivendosur në qendër të projektit nga De Laurentiis, humbasin penallti. Trajneri livornez është në shënjestër të të gjitha mediave të përditshme, të cilat e kanë ‘lënë në klasë’.
“Disa zgjedhje janë të pashpjegueshme,” shkruante “Il Mattino”. “Ai vonon 1 orë për të larguar një nga qendërmbrojtësit e padobishëm. Gabohet në çdo zgjedhje të formacionit bazë, duke përfshirë edhe lojtarët që duhet të jenë pjesë e rotacionit. Hedh në fushë një dyshe sulmuese që në një vit kanë shënuar vetëm 2 gola dhe që rrallëherë e shohin portën kundërshtare. Kur bërtet, asnjë futbollist nga stoli nuk reagon”.
Këto janë rreshtat që përmbledhin akuzat ndaj Allegrit: rotacion i gabuar, mungesë idesh ofensive dhe gola të dhuruar nga mbrojtja. Pa harruar kapitullin e dëmtimeve. Edhe ndaj Venezias pati probleme fizike një tjetër lojtar. Kriza është e dukshme dhe Allegri mban përgjegjësinë e tij. Tani ai ka pak ditë në dispozicion për të përmbysur këtë situatë dhe për të ruajtur postin e tij. Pas ndeshjes me Romën, De Laurentiis do të analizojë situatën; rezultatet janë të domosdoshme me çdo kusht.
