**NATO: Do të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur Turqinë**
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar angazhimin e Aleancës për të “bërë gjithçka që duhet” për të mbrojtur Turqinë. Ky zotim vjen pas vizitës së tij në vend, ku theksoi se Turqia u vu në shënjestër nga raketa iraniane muajin e kaluar.
Rutte citohet të ketë thënë: “Irani po përhap terror dhe kaos, gjë që ndihet veçanërisht këtu në Turqi. Vetëm në javët e fundit, NATO ka interceptuar me sukses katër herë raketa balistike të drejtuara kundrejt Turqisë.”
Ai theksoi gjithashtu se NATO është plotësisht e përgatitur për t’iu përgjigjur kërcënimeve të tilla dhe do të garantojë mbrojtjen e të gjitha shteteve anëtare. Pritet që 32 vendet anëtare të NATO-s të mblidhen në fillim të korrikut në kryeqytetin turk, Ankara, për një samit.
Gjatë qëndrimit të tij, Rutte vizitoi edhe objektet e kompanisë së mbrojtjes Aselsan, ku vlerësoi “zhvillimin e shpejtë” të industrisë turke të mbrojtjes. Ai pritet të zhvillojë një takim edhe me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.
